Transmetuar më 12-05-2018, 11:37

Kjo e shtunë rezervon për të gjithë qytetarët e Tiranës aktivitete të shumta sportive dhe artistike.

Në orën 12:00, në sheshin “Nënë Tereza” do të zhvillohet “Colour Day Festival”, plot muzikë, buzëqeshje dhe ngjyra për të gjithë. Skena shumëngjyrëshe do të mirëpresë performuesit më të mirë, DJ dhe bandat muzikore më të mira të momentit. Qytetarët do të kenë mundësi të ngjyrosin botën e tyre, ndërsa të gjithë të dashuruarit pas muzikës por edhe aventurës, do të kenë mundësi që të shijojnë surprizat dhe aktivitetet e shumta që do të zhvillohen duke e mbushur ditën me muzikë, buzëqeshje dhe ngjyra!

Për të apasionuarit pas motorëve, në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej” zhvillohet edhe “STEELWINGS MOTOFEST 2018". Supershow, paradë me motorë dhe koncert me zërat më të mirë të rrokut shqiptar si Aleksandër Gjoka, Altin Goci, etj

Po sot, në orën 11: 00 hap dyert për të gjithë dashamirësit e artit Pallati i Brigadave. Tridhjetë punime (vizatime, akuarele, pastele) do të prezantohen në ekspozitën e titulluar “Rizbulojmë Parkun”, duke përfaqësuar mbresat e artistëve të rinj, ndërkohë që qytetarët njëkohësisht do të mund të zbulojnë skulpturat, kopshtet, arkitekturën e ndërtesave dhe bukuritë e fshehura prej kaq vitesh të këtij Parku.

Për të zbuluar parkun vizitorët do shoqërohen jo vetëm nga një guidë që rrëfen më shumë rreth historisë dhe vlerave kulturore e mjedisore, por edhe nga tingujt e muzikës së harqeve të Liceut Artistik.