Transmetuar më 12-05-2018, 10:14

Shërbimi i mamografisë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit për gratë ofrohet për herë të parë në spitalin rajonal të Dibrës, me instalimin e aparaturës së re të mamografisë në këtë spital.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimet në aparatura që kanë përmirësuar shërbimet për banorët e kësaj zone.

“Mamografia vendoset për herë të parë, grafia e re sapo është instaluar dhe një sërë pajisjesh të tjera si eko, inkubatorë etj. me vlerë rreth 280 mijë euro që po instalohen në spitalin rajonal të Dibrës, përmirësojnë ndjeshëm diagnostikimin e sëmundjeve, duke bërë që shumë shërbime që pacientët detyroheshin t’I merrnin në Tiranë, sot mund t’I marrin afër vendbanimit të tyre”, tha Ministrja Manastirliu.

Investimet në apararatura të teknologjisë së lartë po realizohen në cdo spital rajonal.

“Kemi nisur tashmë programin tonë për fuqizimin e spitaleve rajonale ku po investohen vetëm për aparatura të reja biomjekësore 4.5 milion euro që padyshim përmirësojnë dhe zgjerojnë shërbimet për qytetarët”, tha Manastirliu.

Duke u ndalur te plotësimi I nevojave me mjekë, Ministrja u shpreh: “Tre mjekë të specializuar kanë pranuar të vijnë të punojnë në spitalin e Dibrës përkundrejt pagesës së bonusit që ofrohet nga qeveria. Një mjeke e re nefrologe I është bashkuar stafit të mjekëve të specializuar të këtij spitali, duke ofruar një shërbim që deri para pak javësh nuk ofrohej në këtë spital, për të sëmurët me veshka.

Po mbulojmë edhe shërbime që më parë kishin mjaft problematika, si anestezi-reanimacion apo obsetrikë-gjinekologji. Paralelisht vijojmë me programin e patronazhit, ku mjekë nga spitalet e Tiranës po kryejnë vizita të specializuara apo edhe ndërhyrje kirurgjikale sipas një grafiku të caktuar këtu në Peshkopi dhe në ato spitale ku ka nevoja për mjekë të specializuar”.

13 mjekë me bonus po ofrojnë aktualisht shërbim në spitalet rajonale, si në Korçë, Gjirokastër, Kukës, Dibër, Berat, etj.

17 mjekë të rinj që sapo janë specializuar janë punësuar gjatë muajit të fundit në spitalet rajonale.

Me programin e patronazhit, 5780 pacientë kanë kryer vizita të specializuara apo intervente kirurgjikale në spitalet rajonale nga mjekët e spitaleve të Tiranës.

“Objektivi ynë është të përmirësojmë dhe zgjerojmë shërbimet shëndetësore në mënyrë që qytetarët t’I kenë këto shërbime aty ku jetojnë. Modelin që ngritëm në QSUT do ta shtrijmë në të gjithë spitalet e vendit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë gjatë vizitës në Peshkopi.