Transmetuar më 11-05-2018, 18:25

Kryediplomatët e Shqipërisë dhe Greqisë, planin e tyre për paketë arritjesh përmes negociatave që kanë nisur prej shumë muajsh, e kanë nisur me një marrëveshje që ka ngjallur skepticizëm që në orët e para.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, nënshkruan sot, marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve, por ajo ka një kusht për çdo përfitues.

Zyrtarisht, MPJ shqiptare tha në njoftimin e saj zyrtar se arritën “Marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve”.

Por në të vërtetë nuk ka ndodhur kjo. Zyrtarisht konfirmohet se sipas kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga Bushati dhe Kotzias, sot në Sunio të Greqisë, që të marrësh leje drejtimi automjeti greke duhet që të kesh një shqiptare dhe atë ta dorëzosh në zyrat greke të pajisjes me këto leje. Autoritetet greke, sekuestrojnë lejen shqiptare të automjetit dhe i japin qytetarit shqiptar një leje drejtimi automjeti të lëshuar nga pala greke.

Kjo u konfirmua edhe nga ministria jonë e Jashtme e cila e sheh si arritje të rëndësishme këtë marrëveshje të parë mes dy vendeve.

“Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 euro për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues automjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë”, – thotë MPJ shqiptare.

Këtu lind pyetja: Pse duhet medoemos të dorëzosh lejen shqiptare të automjetit?

Disa emigrantë që NOA kontaktoi, me të drejtë shtruan edhe pyetjet e tjera që lindin: Atëherë për çfarë shërben marrëveshja?

Përse marrëveshja të mos jetë normale dhe praktike, duke njohur realisht lejen e drejtimit të automjetit të Shqipërisë dhe jo ta dorëzosh atë te shteti grek, pra të mos e njohësh faktikisht e më pas të marrësh një leje greke drejtimi automjeti?

Përderisa thuhet se u arrit njohja reciproke e lejeve të drejtimit të automjeteve, përse patenta shqiptare duhet të hidhet në arkivat greke, duke u bërë kështu, praktikisht e papërdorshme dhe e pavlerë?

Mesa duket, në “lumin” e paradokseve me të cilat shqiptarët përballen kaq shpesh, shtrëngohen të pranojnë edhe këtë “sukses”! /a.b/noa.al/