Transmetuar më 11-05-2018, 18:14

Nëse po përgatiteni për ndonjë udhëtim në fundjavë mendojeni mirë planin pasi moti nuk është shumë favorizues.

Edhe pse temperaturat mbeten të larta, reshjet e shiut do jenë prezente në të gjithë vendin edhe të shtunën e të dielën.

“Kthjellime dhe vranësira kalimtare dominojnë Veriun dhe pjesën më të madhe të zonave Qendrore por vranësira të shpeshta dhe shira gjatë mesditës do ketë Jugu i territorit. Pasditja fuqizon vranësirat në gjithë vendin duke sjellë rrebeshe shiu në Jug dhe pjesërisht në Qendër ndërsa shira të izoluar në Veri, por sërisht pjesa më e madhe e bregdetit vijon pa shira”, thuhet në parashikimin e Meteoalb për ditën e shtunë. 

Temperaturat e ajrit rriten lehtë gjatë mëngjesit dhe mesditës duke variuar nga 9 gradë mëngjesi, në 27–28 gradë celcius maksimumi në mesditë. 

Era do të fryjë kryesisht e lehtë, me shpejtësi 23 km/h nga drejtimi Perëndimor ndërsa në det dallgëzimi ulët në 1 ballë. 

Sa i takon së dielës Meteoalb parashikon: “Gjatë gjithë ditës moti dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta duke sjellë herë pas here shira të dobët në territor por shira deri mesatarë gjatë mesditës dhe orëve të pasdites. Mbrëmja mbetet me kthjellime dhe vranësira të shpeshta duke gjeneruar shira afatshkurtër në zona të izoluara të territorit”. 

Temperaturat e ajrit mbeten thuajse konstante gjatë mëngjesit por rënie të lehtë sjell mesdita; më e ndjeshme në Veri –Verilindje. 

Era do fryjë mesatare, me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi Jugperëndimor duke krijuar në det dallgëzim mbi 2 ballë./a.m./noa.al/