Transmetuar më 11-05-2018, 13:20

Presidenti, Ilir Meta i akordoi titullin "Mjeshtër i madh" i personalitetit të shquar të sportit, ish- lojtarit të kombëtares, Sulejman Demollari.

Motivacioni i këtij ndërimi është: Në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta, si futbollist me një karrierë shumë të suksesshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlerat e një sportisti model, shembull frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj.

Në ceremoninë e organizuar në Presidencë, i pranishëm ishte kreu i FSHF-së, Armando Duka, ambasadorë dhe personalitete të shquara të sportit.

"Karriera sportive e Demollarit ka qenë e jashtëzakonshme, ai është përfaqësues i denjë dhe autoritet me peshë i futbollit shqiptar.

Titullin ‘Mjeshtër i madh’ Demollari e ka marrë në fushën e lojës, atë ia kanë "dhënë" tifozët shqiptarë prej vitesh. Ai është model i shkëlqyer i sportistit shembullor dhe i "fair play".

Figura e tij është nxitje për brezat e rinj për t’u marrë me sport e për të qenë të suksesshëm në jetë, shembulli i jetës, veprimtarisë dhe sjelljes sportive kanë qenë dhe mbetet një burim i rrallë frymëzimi, sidomos për të rinjtë e sotëm

Të gjithë sportadshësit shqiptarë e kanë të gdhendur në kujtesën e tyre lojën e tij virtuoze me “Dinamon” e me Kombëtaren dhe sidomos golat e mahnitshëm të shënuar gjatë tri dekadave", tha Meta.

Ndërsa ish- futbollisti  Sulejman Demollari u shpreh se kjo ishte një ditë e veçantë për të dhe jetën sportive.

"Falenderoj përzemërsisht e me mirënjohje Presidentin Ilir Meta. Ai përherë ka vlerësuar sportistët dhe kontributet e tyre ndër vite. Titulli  "Mjeshtër i madh" që më akordoi Presidenti i përket futbollit shqiptar dhe tifozëve kuqezi", tha ai.

"Demollari shkëlqeu me talentin e tij kudo, brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm për të përfaqësuar fanellën e ekipit kombëtar, që nga Kombëtarja e të rinjve, Kombëtarja shpresa që u kualifikua në 8 ekipet më të mira të Botës dhe titullar i padiskutueshëm i Kombëtares deri në ndeshjen e fundit.

Edhe pse mundi të luante jashtë vendit, vetëm në vitet e fundit të karrierës, ai shkëlqeu me Dinamon e Bukureshtit duke bërë një histori të pashlyeshme edhe sot për rumunët, duke shënuar dhjetra gola e duke u shpallur kampion e lojtari më i mirë i huaj në Rumani.

Me talentin dhe shkëlqimin e tij, Demollari i shërbeu promovimit të imazhit të Shqipërisë në botë", shkruan Presidenti Meta në rrjetet sociale./m.sh/noa.al/