Transmetuar më 08-05-2018, 11:20

Pak kohë më parë mediat italiane bënë fakt të kryer se Carlo Ançeloti do të ishte trajneri i ri i kombëtares së futbollit, madje publikuan edhe detajet e kontratës.

Por duket se ky lajmi ka qenë një "fake", pasi në skenë ka dalë sërish emri i Roberto Mancinit.

Sipas mediave fqinje akordi mes trajnerit dhe drejtuesve të Federatës italiane të Futbollit (FIGC) është arritur, por pritet një përgjigje nga ana e klubit rus të Zenitit të Shën Pjetërburgut, aty ku është i punësuar Mancini.

Ai do të fitojë vetëm 2 milionë euro në vit në kontratën me afat dyvjeçar.

“Gazzetta dello Sport” thekson se Mancini dhe “FIGC” po projektojnë edhe të ardhmen e skuadrës kombëtare. Më i bujshmi është rikthimi i Mario Balotellit./m.sh/noa.al/