Transmetuar më 04-05-2018, 11:00

Kompania multinacionale “Gulf” del me deklaratë lidhur me aktivitetet në Shqipëri. “Gulf Oil International Group” thotë se ka përfunduar kontratën me "Sun Petroleum Albania sh.p.k" me arsyetimin se "Sun Petroleum Albania" nuk kishte paguar taksat e licencës në përputhje me kontratën.

Sa i përket zhvillimeve të kohëve të fundit në lidhje me shërbimet që “Gulf” ofronte në Shqipëri, kompania mëmë thotë se kjo është një situatë e trishtueshme.

“Është e rëndësishme të kuptohet se "Sun Petroleum Albania sh.p.k" është një kompani e pavarur dhe si palë e tretë, të cilës ‘Gulf’ i ka dhënë një licencë për të operuar me stacionet e shërbimit nën markën ‘Gulf Oil International Ltd’.

'Gulf' licencon shumë kompani të pavarura në të gjithë botën për të operuar rrjetet kombëtare të stacioneve të shërbimit të Gulf”, deklarohet në qëndrimin zyrtar.

Më tej “Gulf Oil International” deklaron se bën çdo përpjekje për të siguruar që asnjë licencë të mos i jepet asnjë pale, pa u kryer një hetim i plotë.

Po ashtu nënvizohet se në kohën licencimit të ‘Sun Petroleum Albania’, markë e “Gulf”, kishte krijuar më parë një reputacion të mirë në Shqipëri për cilësinë e produktit dhe shërbimit.

"Megjithatë rrethanat tregtare ndryshojnë dhe nganjëherë bëhen të pariparueshme - siç duket të jetë rasti në Shqipëri", - thotë kompania.

Gulf Oil International pranon se kanë mësuar se kompania e Shqipërisë ka shitur një numër të konsiderueshëm kuponash të parapaguar për karburant të cilin konsumatorët nuk mund ta marrin.

Sqarohet se ky është një veprim që në asnjë mënyrë nuk ishte miratuar paraprakisht nga ‘Gulf Oil International’.

Më tej nënvizohet se po zhvillohen hetime në Shqipëri dhe gjendja ende nuk është 100% e qartë dhe për pasojë “Gulf Oil International” nuk mund të bëjë asnjë koment tjetër, megjithatë shtohet se do të bëhet çdo përpjekje për të ndihmuar në mbrojtjen e markës së “Gulf”.

“Ne mendojmë se është gjithashtu e rëndësishme të thuhet se modeli i ‘Gulf’ për të licencuarit e stacioneve të shërbimit të palëve të treta operon me sukses në më shumë se 25 vende të tjera anembanë botës dhe situata në Shqipëri është specifike. ‘Gulf’ është i përkushtuar për praktikën më të mirë dhe rritjen e reputacionit të fortë që ka krijuar gjatë më shumë se 110 viteve të ekzistencës së saj si një markë”, thuhet në deklaratën e Frank Rutten, zv.President i Gulf Oil International UK Ltd.

Hetimet në Shqipëri

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dy administratorët e kompanisë së karburanteve “Gulf” të akuzuar për mashtrim me pasoja të mëdha, e kryer më shumë se një herë.

Hetimet kanë nisur pasi Policia e Shtetit ka referuar çështjen tek organi i akuzës.

Mësohet se nën akuzë janë vënë administratori shqiptar i kompanisë, Albano Aliko, si dhe administratori gjeorgjian Irakli Zvanidze, që të dy në kërkim.

Ndaj tyre Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shitjen e një sasi të madhe tollonash nafte dhe benzine me një çmim më të ulët, ndërsa pak më vonë, nga ana e “Gulf”, u mbyllën të gjitha pikat e furnizimit.

Tatimet, policia dhe prokuroria janë vënë në ndjekje të të gjitha aseteve të Gulf, prona dhe llogari bankare. Përveç kërkimit policor për menaxherët e Gulf, autoritetet po analizojnë të gjithë dokumentacionin për të zbardhur skemën e shitjes së tollonave të naftës dhe benzinës me të cilën u nxitën me qindra biznese dhe qytetarë të ndryshëm.

Vlera në total është afërsisht 5 milionë euro, e ndarë mes borxhit ndaj privatëve dhe shtetit.

Gulf operonte përmes ambienteve me qira dhe në këtë pikë shpresa e autoriteteve është te bllokimi i llogarive.

Kompania që zotëron Gulf në Shqipëri është në pronësi shtetasit gjeorgjian Aleksandre Gogokhia, i lidhur me ish-zyrtarë të lartë të këtij vendi. /a.y/noa.al

Çfarë ndodhi me Gulf?