Transmetuar më 23-04-2018, 15:11

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ka reaguar lidhur me atë që cilësohet si skemë mashtrimi e kompanisë së karburanteve Gulf. Në një deklaratë për mediat, Gjiknuri tha se ministria nuk ka ndonjë rol rregullator në tregtinë e karburanteve, ndërsa shtoi se nuk është hera e parë kur një kompani falimenton.

“Ministria ka vetëm kontrollin teknik të cilësisë dhe produkteve. Nuk është rasti i parë që ka kompani që falimentojnë, mashtrojnë dhe histori të tilla si këto. Nga kjo pikëpamje janë organet tatimore ato që po e ndjekin këtë proces. Janë organet tatimore me ecurinë e këtij procesi dhe shpresojmë që shumë shpejt përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë”, tha Gjiknuri.

Tatimet, policia dhe prokuroria janë vënë në ndjekje të të gjitha aseteve të Gulf, prona dhe llogari bankare. Përveç kërkimit policor për menaxherët e Gulf, autoritetet po analizojnë të gjithë dokumentacionin për të zbardhur skemën e shitjes së tollonave të naftës dhe benzinës me të cilën u nxitën me qindra biznese dhe qytetarë të ndryshëm.

Vlera në total është afërsisht 5 milionë euro, e ndarë mes borxhit ndaj privatëve dhe shtetit.

Gulf operonte përmes ambienteve me qira dhe në këtë pikë shpresa e autoriteteve është te bllokimi i llogarive.

Kompania që zotëron Gulf në Shqipëri është në pronësi shtetasit gjeorgjian Aleksandre Gogokhia, i lidhur me ish-zyrtarë të lartë të këtij vendi.

Gogokhia ka qenë i përfshirë në skema pastrimi parash në parajsat fiskale dhe ishte pjesë e një skandali që në Gjeorgji çoi në arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tbilisit. /b.l/noa.al/

Çfarë ndodhi me Gulf?

Zbulohet pronari i “Gulf” në Shqipëri, kush është gjeorgjiani që mashtroi shqiptarët