Transmetuar më 17-04-2018, 09:54

Jo vetëm duhani dhe alkooli, por edhe regjimi ushqimor mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës, qysh në periudhën para ngjizjes.

Është kjo ajo që shpjegohet në një shkrim të revistës shkencore “The Lancet”, ku përshkruhet me saktësi se për sa ditë, muaj apo vite, një femër duhet të tregojë kujdesin më të madh. Rreziku nga regjimi ushqimor ka të bëjë me ekspozimin ndaj sëmundjeve kardiovaskulare, por edhe neurologjike.

Një çift që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të angazhohet seriozisht për të mbajtur nën kontroll ushqimet që konsumon.

Kafeina në sasi të tepruar, obeziteti, por edhe kequshqyerja mund të ndryshojnë gjenetikën e qelizave, metabolizmin dhe fiziologjinë e fetusit.  Pasoja të cilat i mbart me vete qysh pas daljes nga barku. Por në krye të faktorëve më të rrezikshëm qëndrojnë gjithsesi alkooli dhe duhani.

Studiuesit kanë mbajtur nën monitorim 509 vajza dhe gra në moshë riprodhimi dhe kanë zbuluar se një pjesë e mirë e tyre nuk është gati për një shtatzëni, sa i takon faktorëve të rrezikut.

96% e tyre, nuk ndjekin një regjim të rregullt ushqimor dhe ushqehen keq. Mungojnë kryesisht hekuri dhe folatet, elementë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e fetusit.

Periudha para ngjizjes- Periudha mesatare që duhet të kenë kujdes çiftet para ngjizjes, është tre muaj, por që mund të variojë sipas rasteve, shkruan noa.al.

Mund të zgjasë ditë ose javë gjë që ka të bëjë me pikëpamjen biologjike dhe që ka të bëjë me bashkimin e vezës me spermatozoidin.  

“Faza e riprodhimit është kritike për shëndetin e çifteve, përfshi peshën, metabolizmin dhe dietën, e cila mund të ndikojë në rrezikun e sëmundjeve kronike tek fëmijët”, shprehet drejtuesja e studimit Judith Stephenson e University College të Londrës. /a.y/noa.al