Transmetuar më 16-04-2018, 21:03

Gjatë ditës së sotme Lulzim Basha nga Berlini dhe Edi Paloka nga Tirana akuzuan me video policinë dhe prokurorinë se kanë falsifikuar provat për arrestimin e 23 kuksianëve pas protestës në rrugën e Kombit.

Por pas akuzave të opozitës reagon edhe ministria e Brendshme.

Përmes një deklarate për mediat thuhet se policia ka zbatuar urdhërat e lëshuar nga prokuroria dhe se janë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

"Në përgjigje të deklaratave të zyrtarëve të PD, bërë pas takimit të Ministrit të Brendshëm me qytetarë të Elbasanit, e vlerësojmë të arsyeshme të reagojmë si vijon:

Lidhur me ndalimin e disa shtetasve, të cilët ishin pjesëmarrës në djegiet dhe shkatërrimet e pasurisë publike dhe asaj private në protestën e zhvilluar pranë tunelit të Kalimashit, Policia e Shtetit konform ligjit ka bërë zbatimin e urdhërimeve përkatëse të ndalimit të lëshuara nga organi i Prokurorisë, veprime të cilat në vlerësimin tonë janë tërësisht të ligjshme dhe në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale", bën me dije ministria e Brendshme.

Sipas tyre ndalimi dhe vlerësimi i masave të sigurisë është bërë nga Gjykata dhe është ky autoriteti, i cili vendos për lirimin ose jo të shtetasve të arrestuar.

"Në kushtet kur politikanët opozitarë deklarues të sotëm e kuptojnë shumë mirë këtë çështje nga pikëpamja ligjore, qëndrimi i tyre kundër Policisë së Shtetit nuk është veçse një spekulim i pastër politik.

As policia dhe askush tjetër nuk mundet të imponojë gjykatën në vendimet e saj.

Ajo çfarë Policia e Shtetit mundet të sjellë në vëmendje në lidhje me këtë rast është fakti se disa prej të ndaluarve për këtë ngjarje janë persona përsëritës të veprave penale të ndryshme dhe disa edhe me precedent penalë", thuhet më tej.

Ministria e Brendshme nëpërmjet SHÇBA-së bëri një verifikim të sjelljes së punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar me mbarëvajtjen e protestës së Kalimashit dhe rezulton qartësisht se është respektuar i gjithë protokolli për këtë rast.

"Gjithkush nga politikanët opozitarë ka mundësinë të bëjë verifikimet përkatëse për sa më sipër dhe t'i rezervojë vetes të drejtën për të mos spekuluar politikisht.

Politikanë të caktuar të opozitës, të cilët e kanë bërë modë tashmë sulmin kundër Policisë së Shtetit, duhet të kuptojnë se sulmet absurde kundër këtij institucioni janë tërësisht në kundërshtim me interesin publik për rend dhe siguri dhe kanë vetëm një synim, të dëmtojnë punën e Policisë së Shtetit", thekson MB.

Ne reagim flitet edhe për sulmet ndaj ministrit Xhafaj.

"Për sa u përket sulmeve personale në adresë të Ministrit të Brendshëm dhe familjarëve të tij, sqarojmë se për to është dhënë përgjigje publike në mënyrë të përsëritur.

Gjithsesi, opozita ka sot gjithë lirinë dhe mundësinë e nevojshme që, nëse ka prova e fakte konkrete për zyrtarë të qeverisë, apo edhe për familjarë të tyre, të sillet në mënyrë serioze dhe në respekt të ligjit t’i prezantojë ato pranë organit kompetent, Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo është detyrë e çdo qytetari të përgjegjshëm në këtë vend", vijon deklarata./m.sh/noa.al/