Transmetuar më 16-04-2018, 12:12

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagon lidhur me rekomandimin e mundshëm pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Vasili thotë se Kryeministri është përgjegjësi i vetëm për ngadalësimin e integrimit europian.

“Rekomandimi i sivjetshëm për hapjen e negociatave me BE është për mire apo për keq një Deja Vu. Kryeministri në 9 nëntor të 2016 kur BE dha për herë të parë rekomandimin pozitiv deklaroi si më poshtë: ‘Vjen lajmi i shumëpritur nga Komisioni EU: Rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, fruti më i bukur i 3-vjetëve, beteja për reformat”, shkruan Vasili në Facebook.

Më tej shton se, mirë është se ripërsëritet rekomandimi historik i 9 nëntorit të 2016.

Vasili thotë se më negative se kurrë është që kemi në rekomandimin e sivjetshëm praninë e shqetësimit madhor e të jashtëzakonshëm të BE për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Ai deklaron se, kjo është ajo e keqe e madhe, që i solli Kryeministri procesit të integrimit duke e vështirësuar e kriminalizuar atë.

Vasili e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se, “Kryeministri është përgjegjësi i vetëm që Shqipëria që pas rekomandimit historik të 9 nëntorit 2016, vetëm humbet terren në procesin e integrimit dhe që i shtohen kushte të reja”. /a.y/noa.al

EUObserver: KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë