Transmetuar më 16-04-2018, 11:55

Një festë ditëlindjeje prej dive, për një aktore, e cila me krenari e përkufizon veten si "anti divë". Claudia Cardinale ka mbushur 80 vjeç 15 prill dhe festoi në Teatrin San Carlo të Napolit.

"Nuk e kam fshehur kurrë moshën time, nuk kam qenë dhe nuk do jem ndonjëherë një divë. Jam një grua e thjeshtë, si gjithë të tjerat", rrëfen muza inspiruese e shumë regjisorëve të mëdhenj të viteve të arta për kinemanë italiane, si: Visconti, Germi, Fellini apo Leone.

Lindur më 1938-ën në Tunisi, nga prindër me origjinë italiane (emri i saj i vërtetë është Claude Joséphine Rose Cardinale), në moshën 17 vjeçare fitoi një konkurs bukurie.

Çmimi i dha një vlerë simbolike, por aspak i vogël për të ardhmen e saj. Ishte një udhëtim në Festivalin e Kinemasë në Venecia. Që atëherë nuk u ndal më.

Claudia ka qenë protagoniste e më shumë se 120 filmave, të firmosur nga emra të mëdha të kinemasë.

Mund të konsiderohet aktorja italiane më e rëndësishme në ato vite dhe e vetmja që gëzoi reputacion ndërkombëtar, njësoj me atë të  Sophia Loren, aq sa për të merituar çmimin Luani i Artë në karrierë në vitin 1993 dhe Ariu i Artë në Berlinalen e 2002-shit.

Pyetjes "Si ke mundur t’u rezistosh aktorëve tërheqës me të cilët ke luajtur në set, si: Alen Delon dhe Marcello Mastroiani, ajo i përgjigjet: "Asnjëherë nuk kam ‘rrëshqitur’ për një aktor".