Transmetuar më 16-04-2018, 11:42

Kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se ka një keqkuptim të madh për taksat. Ai bën me dije se është hequr taksa mbi ilaçet, që sipas tij ishte 10% e çdo aspirinë dhe çdo lloj ilaçi tjetër, që merrnin njerëzit në nevojë për medikamente.

“Kemi përfshirë në listën e rimbursimeve, ilaçeve që merren falas, 600 mijë njerëz, që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve. Kemi rritur listën e ilaçeve të rimbursueshme, sigurisht që ka ende për të bërë, por nga një llogari e përgjithshme, të gjitha këto para të kursyera njerëzish, janë para që paguhen nga buxheti i shtetit”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se taksa për të pasurit nga 10% kalon në 15%, duke thënë se u rrit progresivisht taksimi mbi pagën si dhe u rrit taksa e karburantit.

Rama deklaroi se taksa e karburantit u rrit duke konsideruar rënien e çmimit në tregun ndërkombëtar dhe duke konsideruar që ishte më e udhës të rritej aty një taksë, se sa të rritej diku tjetër, ku mund të rëndoheshin xhepat e qytetarëve.

Në këtë linjë Rama tha se, sot llogaria është 120 milionë dollarë të kursyera nga përdoruesit e karburanteve.

Po ashtu deklaroi se janë ulur taksat për 97% të punonjësve që deri dje paguanin 10% taksë .

Sipas tij, kush ka pagë deri në 300 mijë lekë nuk paguan asnjë taksë, zero tarifë dhe se për biznesin e vogël nga 10% është 5%, dhe për biznesin e vogël me llogari 5 deri në 10 milionë lekë po aq.

“Nëse njerëzit ishin mësuar të mos paguanin as ujin dhe shërbimit, këto nuk janë taka, por shërbimet që duhen paguar. Nëse një bashki apo një tjetër kanë vendosur tarifa më të larta për pastrimin, kjo nuk është taksë, e vendos bashkia, ngatërrohen taksat me tarifat e pushtetit vendor”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai shtoi se sa ka nxjerrë qeveria e drejtuar prej tij, për njerëzit në nevojë, nuk i kanë nxjerrë shumë qeveri të mbledhura së bashku.

Deklarata e tij u dha ditën e sotme, në një video-interpelancë me një grup ish-minatorësh.

Madje Rama bëri një ftesë për të gjithë ata që duan të ndajnë shqetësime, “Për çdo shqetësim që doni të ngrini, sigurisht mund të bëni protesta, greva. Por është dhe kjo rrugë video-interpelanca, për të ngritur drejtpërdrejtë shqetësimet tuaja”. /a.y/noa.al