Transmetuar më 16-04-2018, 09:33

Nis sot aplikimi për 500 kredi të buta për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të blejnë një banesë në kryeqytet. Në mënyrë që të shpallen fitues, kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e paracaktuara e mbi të gjitha të mos kenë një banesë në pronësi të tyre.

Drejtoresha e Strehimit Social pranë Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti e pyetur nga “Top Channel” deklaroi se aplikantët duhet të kenë edhe një minimum dhe maksimum të ardhurash, bazuar në strukturën e tyre familjare.

“Në të gjitha rastet, familjet që shkojnë dhe aplikojnë pranë njësive administrative, nuk duhet të kenë në pronësi të tyre asnjë shtëpi. E rëndësishme është që ata të kenë një nivel minimum dhe maksimum të të ardhurave që i shkon përshtat strukturës së tyre familjare. Pra, këtu bëhet fjalë që një familje me 2 anëtarë nuk mund të ketë më pak sesa 43 mijë lekë të reja të ardhura ose 79 mijë lekë si të ardhura maksimale dhe një familje me katër anëtarë duhet të ketë jo më pak sesa 52 mijë lekë të reja të ardhura dhe jo më shumë sesa 94 mijë lekë”, tha Ruseti.

Më tej kjo e fundit sqaroi për të interesuarit se interesi është 3% gjatë gjithë periudhës së shlyerjes së kredisë. “Interesi në të gjithë kohëzgjatjen e kredisë është prej 3% që do të duhet të paguajë familja, ndërkohë që të gjitha ndryshimet që do të ndodhin në tregun e kredive, në tregun e lirë është kontribut i cili paguhet totalisht nga Bashkia e Tiranës”, u shpreh drejtoresha e Strehimit Social.

Familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi të aplikojnë përgjatë 30 ditëve të ardhshme për kredi të butë për blerjen e një banese, në rastet që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Të gjitha familjet që do të shpallen fituese do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një shtëpie të re.

Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja”, do të jenë familjet e reja që: përbëhen nga çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç, përbëhen nga familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension, nuk kanë në pronësi një banesë, kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program, si dhe ata që nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë. Fillimisht të interesuarit për marrjen e një shtëpie me kredi të butë, duhet të aplikojnë e më tej, nëse shpallen fitues duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar pranë bankave. Aplikantët duhet të plotësojnë Formularin e Strehimit TIP, pranë Njësisë Administrative përkatëse, të cilit do t’i bashkëngjisin edhe dokumentet si: deklarata e vërtetësisë së informacionit të pasqyruar në formularin e strehimit, kopja e kartës së identitetit të aplikuesit, certifikata familjare.

“Në të gjitha rastet familjet që shkojnë dhe aplikojnë pranë njësive administrative, nuk duhet të kenë në pronësi të tyre asnjë shtëpi. E rëndësishme është që ata të kenë një nivel minimum dhe maksimum të të ardhurave që i shkon përshtat strukturës së tyre familjare. Pra, këtu bëhet fjalë që një familje me 2 anëtarë nuk mund të ketë më pak sesa 43 mijë lekë të reja të ardhura ose 79 mijë lekë si të ardhura maksimale dhe një familje me katër anëtarë duhet të ketë jo më pak sesa 52 mijë lekë të reja të ardhura dhe jo më shumë sesa 94 mijë lekë”, tha Ruseti, shkruan ‘Gsh’.