Transmetuar më 15-04-2018, 17:58

Një nga historitë që u trajtua në programin “Dua të të bëj të lumtur” gjatë mbrëmjes së djeshme, ishte historia e nënë Haxhiresë ose siç e quante veten “nëna e halleve”. Nënë Haxhireja kishte kaluar shumë vështirësi në jetë. Në moshë të re ajo kishte mbetur e vetme pasi familjarët e saj kishin ndërruar jetë. Vite më vonë jeta i kishte dhënë një tjetër goditje duke humbur bashkëshortin dhe djalin e saj.

Për të harruar sadopak dhimbjen, nënë Haxhireja kishte vendosur që të kujdesej për Himenën që kur ajo ishte 5 muajshe. Ajo i kishte qëndruar pranë Himenës në çdo moment të jetës që nga hapat e parë që Himena kishte hedhur e deri sot.

Himena, një personazh i njohur për publikun shqiptar si finaliste e spektaklit “Ethet e së Premtes” i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për të bërë të lumtur nënë Haxhirenë dhe për ta falënderuar për gjithçka që ajo kishtë bërë për të. Në momentin që u hap ekrani nënë Haxhire filloi të qante sepse Himena nisi të këndonte “Këngën e Gjyshes”.

“Të ftova këtu sepse doja të të falenderoja shumë nga zemra, të të falenderoja në një mënyrë që të mos e harroje asnjëherë. Qëkur kam filluar të mbaj mend, të mbaj mend vetëm ty. Ty duke u kujdesur për mua, ty që ke qenë në çdo moment të jetës time. Kam aq shumë gjëra për të të falenderuar, por nuk di nga t’ia filloj. Faleminderit gjyshe që ke ndryshuar jetën time dhe jo vetëm.”

Në momentin që Arbana Osmani po bashkëbisedonte me nënë Haxhirenë, në studio erdhi Albana Perhati, nën petkun e personazhit të famshëm të saj në “Portokalli”, “Bukrën”. Nënë Haxhireja e pëlqente shumë Albanën kur luante rolin e “Bukurës” dhe për këtë arsye ajo ishte e ftuara surprizë për të.

“Ajo nuk është nëna e halleve por mbretëresha jonë. Ajo na ka mësuar se dhimbja kthehet në forcë, na ka mësuar të dashurojmë dhe se jeta pa buzëqeshje është humbje”, – ishin fjalët me të cilat Himena iu drejtua në fund nënë Haxhiresë.