Transmetuar më 15-04-2018, 11:08

Ditën e djeshme ishe parashikuar në axhendë një vizitë e kryeministrit Rama në Shkodër, e cila do të pritej edhe nga një protestë e organizuar nga opozita dhe biznesi i vogël në qytet.

Por edhe pse ishte shpërndarë një axhendë, për mediat, jo zyrtarisht, kryeministri Rama e anuloi këtë vizitë dhe shkoi në Vlorë, aty ku nëna e tij Aneta, u nderua me një çmim nga Urdhri i Stomatologut.

Në mungesë të Aneta Ramës, këtë titull e tërhoqi, djali i saj, kryeministri Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij ai zbuloi edhe shkakun e mungesës së nënës në këtë ceremoni.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”, dhënë nga Urdhri i Stomatologut për Aneta Ramën, në 100- vjetorin e këtij shërbimi në Vlorë, kreu i qeverisë tha se Aneta Rama po kalon një sëmundje shumë të vështirë.

“Urdhri i Stomatologut nderon nënën time, Anetën, e cila e kishte të pamundur të ishte e pranishme, sepse prej disa kohësh është në një përpjekje jo të lehtë, me një sëmundje shumë të vështirë. Më takon mua që në emër të saj, të falënderoj nga zemra këdo që pati mirësinë të kujtohet për figurën dhe kontributin e saj në këtë fushë, si një ndër gratë e para që shkulën dhëmbët e burrave në Shqipëri”, tha Rama.

Por në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe nënkryetari demokrat i parlamentit, Edi Paloka.

Ai shkruan se Rama luan rolin e viktimës duke përdorur për karrigen e vet edhe familjen.

"I turpshem ne cdo akt qe ndermerr…Kur nuk ben dot “te fortin” dhe arrogantin, luan rolin e viktimes qe te ngjalle meshiren e te tjereve.

Per hir te karriges eshte gati te perdore dhe familjen madje dhe duke sajuar situata te paqena sic beri ne emisionin e Eni Vasilit apo dje ne Vlore", shkruan Paloka./m.sh/noa.al/