Transmetuar më 14-04-2018, 09:28

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar ashpër këtë mëngjes të shtune pas asaj që ndodhi në seancën e fundit në Kuvend, në të cilin sipas tij u futën oficerët e armatosur për të mbrojtur Ramën.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili akuzon prokurorinë se po hesht përballë këtij kërcënimi të madh që i bëhet parlamentarizmit ndërsa thekson se për këtë do të përballet me popullin.

“Oficerët e armatosur hynë në 12 prill në sallën e seancave plenare duke dhunuar si kurrë ndonjëheëe sallën e kuvendit. Ky është akti më i rëndë dhe i papërfytyrueshëm për një parlament demokratik. Prokuroria hesht dhe ka mbyllur sytë përpara kësaj ngjarje të tmerrshme për parlamentarizmin dhe respektimin e ligjit, ndërkohë që këto skena falë televizioneve i ka parë edhe shqiptari më i fundit”, shkruan Vasili.

Më tej ai thekson se personat e armatosur hynë në sallë për te mbrojtur jetën e kryeministrit të "kërcënuar" rëndë nga mielli dhe uji, ishte vërtet në "rrezik të madh" kryefrikacaku i qeverisë se mielli dhe uji të "vrasin".

“Nuk mundet që peër shkak të një frikacaku të kthehet salla e kuvendit në një demostrim të oficerëve alabakë me armë dhe me fishekë. Tanimë salla e parlamentit qeveriset nga garda e republikës me armë dhe pa armë pasi nuk ka më kryetar parlamenti. Garda hyn e del siç i pëlqen dhe as që ja fishkëllen fare kryetarit fiktiv të kuvendit”, shton ai.

Sipas Vasilit, Prokuroria nëse nuk vepron për dhunimin e sallës së të zgjedhurve të popullit nga oficerët me armë, do të thotë se është vendosur përfundimisht kundër popullit, do të thotë gjithashtu se do të përballet me popullin, por duhet ta dije se atë ditë ajo do të jetë dita e saj e fundit.