Transmetuar më 13-04-2018, 19:30

Tanja Fajon, raportuese e Parlamentit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën i ka dhënë notë pozitive Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Fajon ka thënë se kur është fjala për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është bërë progres i madh.

Megjithatë, Fajon, në përgjigjen e saj nuk ka folur konkretisht se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Kosova ka bërë progress të madh në përmbushjen e të gjitha kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave”, ka thënë ajo.

“Marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe sipas informative të mia, një progress i madh është bërë edhe sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” ka vijuar raportuesja.

Sipas Fajon, tani Komisioni Europian duhet ta njohë progresin që është bërë dhe se kjo do të bëhet shumë shpejtë.

“Sapo të japë Komisioni dritën jeshile, unë do të vazhdoj me procedurën e miratimit në Parlamentin Europian. Do të jetë thelbësore që Ministrat e BE-së të lëvizin shpejt dhe po ashtu unë rreth kësaj do ta bëjë më të mirën e mundshme”, ka thënë Fajon.

“Nuk kemi më asnjë arsye të mos veprojmë e as kohë të humbim. Qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm në Evropë më shumë se kurrë më parë. Tani  e kemi një rast unik që këtë ta bëjmë realitet”, është mesazhi i zyrtares së lartë. /k.k/noa.al/