Transmetuar më 10-04-2018, 10:54
Arben Ahmetaj, foto ilustruese

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një komunikim me mediat ditën e sotme, sqaroi biznesin e vogël për skemën e TVSH-së.

Ai bëri me dije se të gjithë ata që kanë një biznes të vogël, duhet të jenë të qetë, pasi nga 1 prilli, nuk ka rritje të çmimit.

“Ju ftoj të jepni një çmim të rritur në dyqanet e lagjeve apo në supermarketet e mëdha që nga 1 prilli. Ajo që kemi thënë, që s’ka rritje çmimesh është fakt, do jetë fakt në vazhdimësi”, u shpreh Ahmetaj.

Ai shtoi se, përkundrazi inflacioni do të lëvizë në nivelet midis 1.2 dhe 2.4 % brenda parametrave të parashikuara.

Ahmetaj tha se numri i sipërmarrjeve që do të detyrohen të deklarojnë nga 2 deri në 5 milion është 9900 sipërmarrje të vogla, nën 2 milion janë 60 mijë sipërmarrje të vogla, duke i nxitur të bëjnë vetëdeklarim.

Ministri komentoi edhe protestën e biznesit të vogël, të cilët të thirrur nga opozita, kanë vendosur të ulin qepenat.

“Nuk do të ketë gjoba për deklarim të gabuar deri më 31 dhjetor të 2018 për biznesin e vogël. Vazhdoni punën tuaj për familjen tuaj, mos i ulni qepenat as 5 minuta për të furnizuar një ego të sëmurë politike që s’ka lidhje me ju. Mos harroni se ju kanë gjobitur”, u shpreh Ahmetaj.

Ai shtoi se nga bizneset e vogla me TVSH arkëtohen rreth 1 miliardë lekë TVSH dhe 99% mblidhet nga biznesi i madh. Fokusi sipas tij, është te biznesi i madh.

Ahmetaj deklaroi se opozita gënjen kur thotë se do të rriten kostot dhe çmimet.

“Në çdo mall 20% i TVSH është, e ka paguar konsumatori çdo ditë”, deklaroi Ahmetaj. /a.y/noa.al