Transmetuar më 09-04-2018, 20:32

Veliaj: “Krenar për gjithë qytetarët e Tiranës; jemi qyteti më evropian në Ballkan”

Ditën e parë të punës si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj e nisi duke u kujdesur për banorët e komunitetit rom që jetonin në mes të katër rrugëve pranë Pallatit me Shigjeta. Ndërsa, në dy vitet e para si kryetar i Bashkisë së Tiranës, me ndihmën edhe të donatorëve të ndryshëm, ai i dha zgjidhje afatgjatë strehimit për pjesën dërrmuese të komunitetit rom që jeton në Tiranë, duke u ndërtuar banesat.

Kjo është arsyeja pse në Javën e Romëve, Komisioni Europian i dha kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, çmimin “Kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom”. Një çmim i cili iu dorëzua sot në Bruksel, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar në Parlamentin Europian, nga Drejtoria e Përgjithshme për Negocimet e Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Komisionin Europian dhe Rrjeti i Organizatave Europiane për Romët.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi Komisionin Europian për vlerësimin dhe theksoi se ky çmim shkon për gjithë qytetarët e Tiranës, që janë treguar të hapur në trajtimin e kësaj çështje.

“Jam shumë i lumtur që Tirana sot krenohet si kryeqyteti më miqësor me Komunitetin Rom. Është mënyra më e mirë për të shpërblyer punën e të gjithë atyre që kanë punuar për të zgjidhur disa tema shumë të rëndësishme në qytetin tonë, duke filluar nga çështja e strehimit për komunitetin rom te “Bregu i Lumit”, te Liqeni Artificial apo në zonën e Shkozës. Sot, përtej histerisë, familjet rome janë sistemuar në vende shumë më komode, për të vijuar më pas me arsimimin e fëmijëve, shërbimin e shëndetësisë apo ndihmën ekonomike. Jam krenar për të gjithë qytetarët e Tiranës që janë të emancipuar, që janë mendjehapur, që e kuptojnë se, nëse si qytetarë, nuk pranojmë ata që janë pak më ndryshe nga ne, s’mund të presim që Bashkimi Europian të na pranojë ne shqiptarët”, tha kryebashkiaku pas marrjes së çmimit.

Ai shtoi se kjo sjellje ndaj këtij komuniteti e bën jo vetëm Tiranën, por gjithë vendin më perëndimor dhe e sjell atë më afër Bashkimit Europian. “Duke dhënë shembullin se si sillemi si europianë brenda Shqipërisë dhe brenda Tiranës, patjetër që kemi gojë të kërkojmë që të avancojmë në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian tani, me statusin e kandidatit, që përkthehet në “fillim të negociatave për anëtarësim”, u shpreh Veliaj.

Duke theksuar se komuniteti rom sot në Tiranë ka jo vetëm kushte më të mira jetese, por edhe më shumë mundësi për t’u arsimuar dhe për t’u integruar në shoqëri, Veliaj shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar.

“Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe për komunitete më të vogla rome, që kanë nevojë për ndihmën tonë, por mbi të gjitha, për të theksuar që Tirana është sot një nga qytetet më europiane në Ballkan. Marrja e këtij çmimi nga Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian, si qyteti më miqësor për romët, jo vetëm na mbush me krenari, por edhe na frymëzon për të vazhduar më tej në këtë fushë të madhe të emancipimit, që të gjithë kemi nevojë”, tha Veliaj.

Ceremonia e shpërndarjes së çmimit “Kryebashkiaku më miqësor ndaj komunitetit rom” u organizua nga eurodeputetja, Soraya Post, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson dhe Rrjeti i Organizatave Europiane për Romët, në përfundim të fushatës “Iniciativa e Përbashkët për Fuqizimin e Shoqërisë Civile të Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”.

Fushata synon forcimin e përfshirjes së komuniteteve rome në vendimmarrjen vendore dhe kombëtare për të ndikuar në politikat mbi integrimin e romëve, përfshirjen sociale, mosdiskriminimin, dialogun ndëretnik, zhvillimin socio-ekonomik dhe të drejtat e qytetarëve.