Transmetuar më 09-04-2018, 17:36

Tre të rinj shqiptarë të cilët qëndronin ilegalë në Agrinio të Greqisë, anë përfshirë në një incident të përgjakshëm me pasojë plagosjen e njërit prej tyre.

Ngjarja ndodhi dje në orën 01.30 të mëngjesit në lokalitetin Drimona Thermou, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare nga policia e rajonit Agrinio që përfshin këtë qytezë.

Në të njëjtën kohë, një plaçkitje ndodhi te një banesë pranë vendit të plagosjes, duke nxitur policinë që të lidhë dy ngjarjet.

Tre djemtë shqiptarë ndodheshin në qendër të qytezës kur u përfshinë në incidentin me armë zjarri.

Një prej tyre mbeti i plagosur nga plumba pistolete, kurse dy të tjerët nuk bënë rezistencë dhe as përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja.

I plagosuri u dërgua në spitalin e Agrinios ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Dy shqiptarët e tjerë u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim.

Policia tha se preu fletë-arresti nën ruajtje spitalore edhe për shqiptarin e tretë.

Që të tre përballen me akuzën e përbashkët të qëndrimit të paligjshëm në Greqi, kurse hetimet do të zbardhin dhe plagosjen e njërit prej tyre.

Hetimet lidhen me denoncimin pak minuta para plagosjes, të një të moshuari aty pranë i cili tha se persona të panjohur hynë në shtëpinë e tij dhe e plaçkitën duke marrë njëmijë euro dhe disa bizhuteri.

Policia pranon se nuk ka prova që të lidhë dy ngjarjet, por është duke u përpjekur t’i zbardhë ato. /a.b/noa.al/