Transmetuar më 08-04-2018, 23:43

Njëzetë vjet më parë, efektivi i RENEA-s, Elham Elezi humbi jetën në krye të detyrës në moshën 29 vjeçare.

Sot, në kujtim të tij, por edhe të të gjithë efektivëve të policisë së shtetit, të cilët kanë sakrifikuar jetën për sigurinë e qytetarëve, mbollën 140 pemë të reja në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial; pemë të cilat u dhuruan nga vetë punonjësit e policisë

Në mbjelljen e fidanëve të rinj, së bashku me ish-kolegë dhe familjarë të efektit të RENEA-s, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot detyra e çdo qytetari është të përkujdeset për qytetin ku punon dhe jeton.

“I falenderoj shumë miqtë dhe familjen e dëshmorit të policisë, Elham Elezi. Në një moshë shumë të re dhe në vite shumë të vështira për Shqipërinë, ai dha jetën për vendin. Sot, teksa flasim për patriotizëm, unë besoj se mënyra se si familja e tij dhe miqtë e tij e përkujtojnë atë është një formë tjetër patriotizmi; sot është e nevojshme ta duam qytetin, ta mbajmë pastër dhe të përkujtojmë të dashurit tanë, me një stol, me një pemë”, tha Veliaj.

Babai i Elham Elezit, efektivit të RENEA-s që ra në krye të detyrës në Tiranë, i falenderoi mes emocioneve punonjësit e policisë që kontribuan për përkujtimin e të birit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për sigurinë e qytetarëve, me mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit.