Transmetuar më 08-04-2018, 14:43

Presidenti Ilir Meta nga kisha Ortodokse, uroi gjithë besimtarët për festën e Pashkës duke theksuar se dashuria për jetën dhe njerëzit, është forca e duhur për t’u përballur me sfidat.

“Kjo është një ditë mjaft e rëndësishme, që përcjell një mesazh të jashtëzakonshëm në emër të dashurisë për jetën dhe njerëzit, ringjallja e Krishtit me besimin se e mira do triumfojë. Uroj sa më shumë mbarësi, mirësi dhe dashuri mes shqiptarëve”, u shpreh Meta

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha nga Katedralia “Ngjallja e Krishtit” duke uruar për Pashkët u shpreh se kjo festë do të shënojë për të gjithë shqiptarët ringritjen e të mirës ndaj të keqes.

“Kam kënaqësinë e madhe nga Katedralia “Ngjallja e Krishtit” t’ju uroj të gjithë besimtarëve ortodoksë në këtë ditë të shenjtë; për shumë vjet Gëzuar Pashkët. E ardhmja lind përmes sakrificës, e mira vjen përmes dhimbjes ndaj ju uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve të Zotit që kjo ditë të shënojë ringritjen drejt të mirës, bashkimin për fitoren, e së drejtës mbi të keqen, e dritës mbi errësirën. Për shumë vjet gëzuar”, tha Basha.

Edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla në emër të qeverisë ‘Rama’ nga Katedralja Ortodokse uroi besimtarët festën e Pashkëve. Përmes një prononcimi të shkurtër për mediat, Nikolla dha një mesazh të qartë për gjithë shqiptarët, për më shumë solidarizim dhe mirëkuptim e përgjegjësi.

“Pashka është dita e triumfit mbi vdekjen, i dritës mbi errësirën, i shpresës mbi dëshpërimin. Ndaj duke përfituar nga kjo ditë plot diell dhe festë për të uruar besimtarët ortodoksë. Le të përfitojmë të gjithë nga kjo ditë për të dalë me përpjekje për më shumë solidarizim, për më shumë mirëkuptim dhe përgjegjësi”, uroi Nikolla./b.l/noa.al/