Transmetuar më 30-03-2018, 13:02

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka rikonfirmuar zotimin e tij për të vënë para drejtësisë të “pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO”, pas ekstradimit nga Kosova për në Turqi të 6 pjesëtarëve të lartë të kësaj organizate.

“Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me Inteligjencën e Kosovës kapën 6 përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. 

Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe t’i sjellim këtu me lejen e Zotit, kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, citohet të ketë thënë presidenti Erdogan, siç raporton “Anadolu Agency”.

Policia e Kosovës arrestoi gjatë së enjtes 6 shtetas turq pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke.

Mësuesit e kolegjeve “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, dyshohet se janë pjesëtarë të organizatës “FETO” të imamit Fetullah Gulen.

Ky i fundit akuzohet se është organizator i puçit ushtarak në korrik të vitit 2016, në Turqi. Shtetasit turq që dyshohen se janë pjesëtarë të FETO-s, u nxorën në Drejtorinë e Sigurisë së Policisë së Stambollit. Pritet që të dyshuarit t’iu shtrohen hetimeve në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë Publike të Stambollit, e do t’i referohen gjyqësorit në orët ose ditët e ardhshme./b.l/noa.al/