Transmetuar më 23-03-2018, 18:59

Që të mund të parkosh në rrugët e rrugicat pranë shtëpisë tënde, duhet  të pajisesh tani e tutje me një kartë që praktikisht nuk të siguron vend parkimi e për më tepër, për ta pasur atë, duhet të paraqitësh një mal me dokumente që të marrin kohë dhe të ushqejnë stres.

Paradoksi në kufijtë e absurdit po ndodh në Tiranë, ku Tirana Parking,  drejtori e bashkisë së Tiranës, siç thuhet në njoftimin e dërguar sot nga kjo e fundit, ka shpallur vendimin e ri për parkimin e makinave në vendbanimet e qytetarëve që jetojnë në kryeqytet.

Kjo drejtori, thekson se “vendet të cilat janë të përcaktuara për rezidentët nuk janë të personalizuara, që do të thotë se në këto hapësira kanë të drejtë të parkojnë të gjithë banorët që janë rezidentë të asaj zone”. Praktikisht, edhe pasi ta marrësh atë që quhet karta e rezidentit, duhet të kalosh strese të vazhdueshme për të gjetur një vend parkimi për makinën tënde.

Image may contain: outdoor

Shumë qytetarë pohojnë se çdo ditë, sidomos mbrëmjeve, përballen me shqetësimin e mungesës së vendeve të parkimit në zonat ku jetojnë. Kjo vjen më së shumti nga rrugët e ngushta, infrastruktura ende jashtë standardeve, mbipopulli dhe për rrjedhojë vendet e pakta dhe makinat e shumta që kanë banorët.

Duke mos mjaftuar këto, tani e tutje, nuk do të mundesh të parkosh në vendbanimin tënd, nëse nuk merr “Pullën e Rezidentit”.

Tirana Parking ka njoftuar në faqen e saj zyrtare në internet të gjithë ata banorë që jetojnë në një prej katër zonave që gjeni të detajuara më poshtë, se nëse kanë një automjet, duhet të paraqiten në zyrat e saj për t’u pajisur falas për një vit me Pullën e Rezidentit duke parkuar pa pagesë makinën në zonën ku banojnë, për 12 muajt e ardhshëm.

Por që të marrësh këtë pullë, që bashkia dhe Tirana Parking e quajnë “Karta e Rezidentit”, duhet të paraqesësh një “mal” me letra, në kushtet kur qeveria dhe kreu i saj Edi Rama, po trumbetojnë përditë e më shumë, thjeshtimin e procedurave dhe minimizimin e dokumenteve që kërkohen nga institucionet.

Sipas njoftimit, për pullën që nuk të siguron vend parkimi, por të lejon të kërkosh në lagje për një vend të lirë, duhet të depozitosh pranë Tirana Parking, plot shtatë dokumente.

Disa prej tyre janë normale që të kërkohen, por disa të tjera, nga qytetarët e njohur me vendimin, po konsiderohen si absurde.

Kështu, kërkohen pa dhënë shpjegime se përse nevojiten, faturat e UKT-së ose OSHE-së.

Po ashtu kërkohet certifikatë familjare e individit që duhet të marrë pullën që e lejon të kërkojë për vend parkimi në lagjen ku banon.

Po ashtu, kërkohet detyrimisht dhe fotokopje e taksave vjetore të makinës.

Gjtihashtu kërkohen dhe dokumente të tjera, si vërtetim banimi, kopje e certifikatës së pronësisë ose kontratës së qirasë /huapërdorjes, certifikatë për vërtetim pronësie e makinës ose autorizim për përdorim automjeti, leje qarkullimi e automjetit që do të pajiset me kartë rezidenti.

Disa qytetarë të njohur me shpalljen e mësipërme, duke folur sot me noa.al, shtrojnë pyetje mbi dokumentet e tepërta që po kërkohen.

“Dakord duhet vërtetim banimi, ja dhe vërtetim pronësie i mjetit, po pesë të tjerat? Përse bashkia dhe drejtoria e saj duan certifikatën familjare dhe përse duhet të nxjerr fatura UKT-je dhe OSHEE-je e t’ua çoj bashkisë”, – shprehet Ardiani, një 37 vjeçar që banon në një nga katër zonat ku kërkohet pulla taksative.

“Përse duhet të shkoj e të marr letra a kam paguar apo jo taksat vjetore të makinës sime, ç’lidhje ka kjo me pullën e parkimit”, – vijon më tej ai.

Pyetje të ngjashme shtrojnë dhe qytetarë të tjerë. Disa sjellin në vëmendje edhe faktin sipas tyre se drejtoria e bashkisë, nuk po është në një linjë me vendimin e qeverisë, që institucionet shtetërore të thjeshtojnë sa më shumë dokumentacionet e kërkuara dhe për më tepër, t’i sigurojnë vetë ato.

Pyetjes së NOA.al në vox-pop-in e realizuar sot pas njohjes me këtë vendim, nëse kanë shpresa që kjo procedurë të thjeshtohet, ata i përgjigjen më së shumti me skepticizëm. Disa megjithatë shtojnë se “duke u dëgjuar zëri i tyre në media, ndoshta do të dëgjohet edhe nga shteti”.

Vitin e kaluar, kjo drejtori, kërkonte vetëmtre dokumente për kartë rezidenti, kurse me vendimin e ri, i çoi në shtatë këto shkresurina.

NOA.al është e hapur të dëgjojë nga institucionet përkatëse, shpjegime për këtë mënyrë procedimi me parkimet në Tiranë. /a.b/noa.al/ 

Zonat ku aplikohet projekti i kartës së rezidentit:

Zona 1.

Me kufij: Vija kufizuese e qytetit të Tiranës në pjesën Veri/Perëndimore, bulevardi “ZOG 1” në anën Lindore dhe kordoni hyrës me rrugët “Lazi Miho”, “Konferenca e Pezës” duke vazhduar përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta” në anën jugore, deri në ndërprerjen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Zona 2.

Me kufij: Zonën përgjatë bulevardit “ZOG 1” në pjesën perëndimore, vijën kufizuese të qytetit të Tiranës në pjesën Veri/Lindore dhe zgjatimin e bulevardit “Zhanë D’Ark” deri në vijën kufizuese në anën Jugore.

Zona 3.

Me kufij: Segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në anën perëndimore, bulevardi “Bajram Curri” dhe përgjatë lumit të Lanës, deri në vijën kufizuese në anën veriore dhe vijën kufizuese të qytetit të Tiranës në pjesën Jug/Lindore.

Zona 4.

Me kufij: Kordonin hyrës përgjatë rrugës “Konferenca e Pezës” në anën veriore, bulevardin vijën kufizuese të qytetit të Tiranës në anën lindore, zonën përgjatë segmentit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në pjesën Lindore dhe vijën kufizuese të Tiranës në pjesën jugore të saj.