Transmetuar më 16-03-2018, 18:43

Banka e Shqipërisë njofton se duke filluar nga data 30 mars 2018, do të hidhet në qarkullim monedha metalike shqiptare me vlerë nominale 20 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2016.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 20 Lekë, është miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Monedha e re metalike, emetim i vitit 2016, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 20 Lekë, emetim i vitit 2012.

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhën e re do të jetë “2016”, si dhe drejtshkrimi i fjalëve “LEKË”, dhe “SHQIPËRISË”.

Duke filluar nga data 30 mars 2018, monedha metalike me vlerë nominale 20 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2016, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme./a.m./noa.al/