Transmetuar më 13-03-2018, 20:26

Nga Spartak ngjela

Këta të korruptuar që kanë vjedhë çdo gjë në Shqipëri në 20 vjet; çfarë janë - kriminelë?

Jo, janë qejflinj krimesh.

l.

Këtej e tutje do të shfaqen pronat e korrupsionit.

Gjithsesi, të gjitha abuzive janë, por tani që po shfaqen mediatikisht pronat e Llallës dhe Gashit, duhet që gjithsecili të kujtohet për një gjë ?

Si i kanë fituar këta këto prona?

Është shumë e rëndë kur e mendon. Që të gjitha janë para të paguara nga bota e krimit për t'iu mbyllur autorëve dosjet e krimit.

Aty, në ato prona, në pishina, hotele, vila dhe restorante gjendet gjaku i të vrarëve nga krimi i pandëshkuar; gjenden vjedhjet e shtëpive të emigrantëve dhe të shqiptarëve të ndershëm me autorë të liruar nga prokurori; gjenden para të paguara nga Basha për 200 milionë dollarët e grabitura nga Rruga e Kombit; gjenden paratë e paguara nga Meta për të mbyllur aferat e tij të korrupsionit; janë paratë e paguara për të legalizuar aktet e vjedhjes së tokave në bregdet nga të gjithë llojet e pushtetarëve dhe nga familjarët e tyre; gjenden paratë e paguara të pushtetarëve, për të legalizuar abuzimet e tyre.

E pse të zgjatemi: thjesht aty, në ato prona, gjendet bashkëpunimi i pastër i prokurorëve me krimin e organizuar.

ll.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër do shihni që do të janë kryeministrat me radhë, ministrat me radhë, kryetarë bashkish, me radhë; gjyqtarë, me radhë; vrasës me pagesë që kanë vrarë për pushtetarë dhe banditë.

Do të na shfaqen konçesione abuzive si shitje të pasurisë kombëtare; do të na shfaqen paratë që janë marrë me shëmtimin që iu është bërë qyteteve me shitje të shkeljeve të rënda të ligjit të urbanistikës dhe planeve rregulluesë të qyteteve .

Në këto prona abuzive pushtetarësh gjendet edhe shitja e interesit kombëtar, deri në përpjekje për të asfiksuar çështjen kombëtare shqiptare.

lll.

Sot, a e patë sesi fluturoi komisioneri abuzues Saraçi, i cili kishte nxjerrë Llallën nga procesi i vetingut?

Ja, ky është shembulli i parë që tregon se shoqëria shqiptare e ka filluar procesin e katarsisit të saj.

Por ka edhe diçka: ka qenë kërkesa e Organit Ndërkombëtar të Monitorimit që e kërkoi pushimin e Saraçit, pikërisht për faktin që ky deshi të shpëtonte Adriatik Llallën nga vetingu.

Por, edhe pas kësaj, ende ka skeptikë në Shqipëri që nuk besojnë te ndërkombëtarët?

Dhe, mbas kësaj; ende ka skeptikë që nuk binden që lufta kundër korrupsionit në Shqipëri monitorohet nga ndërkombëtarët?

Ska problem, skeptikët le të vijojnë dhe ca pak kohë; se kanë të drejtë ngaqë ne kemi qenë në njëqind vjet një shtet abuziv dhe kundër shqiptarëve.

Ky proces që ka filluar është katarsisi ynë që vjen pas një shekulli. Shqiptarët janë të lodhur; të rrazbitur nga dhuna që i ka dënuar me varfëri.

Varfëria shqiptare është vepër e abuzimit kryeministror njëqind vjeçar.

Prandaj katarsisi që ka filluar si proces, do t'i sjellë shqiptarët te drejtësia, ligji dhe ndëshkimi e shpronësimi i keqbërësve të tyre. Dhe kjo, sigurisht që është e lidhur edhe me fillimin e procesit për eliminimin e varfërisë së imponuar shqiptare.

Shqiptarët tani do të shohin sesi në njëzet vjet janë poshtëruar nga abuzimi antiligjor dhe sigurisht që do ta kuptojnë sak historinë e trishtë shqiptare si vepër të korrupsionit qeveritar; por edhe si luftë njëqind vjeçare për mbijetesë nga imponimi për shfarosjen e tyre në favor të pushtimit të territoteve shqiptare nga fqinjët sllavë dhe grekë.

Mbi të gjitha, angazhimi amerikan dhe perëndimor në përgjithësi; pa dyshim që ka dalë për të rivendosur të drejtat e dhunuara të shqiptarëve deri dhe me genocidin e hordhive kriminale serbe dhe greke

Ja, edhe këtë kontekst historik të drejtash për shqiptarët e mbart me vete lufta kundër korrupsionit në Shqipërinë e sotme.

Prisni dhe shikoni! 

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al