Transmetuar më 13-03-2018, 12:57

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë e cila u mbajt në Elbasan, kryeminsitri Edi Rama komunikoi edhe vendimet e marra. Kreu i ekzekutivit njoftoi vendimin përfundimtar për rrugën Tiranë – Elbasan, e cila ka mbetur pa përfunduar që në kohën e qeverisë "Berisha 2".

"Kemi dy probleme të trashëguara nga e kaluara, dy gropa që kemi bërë përpjekje, por nuk i kemi mbushur plotësisht, rrugën Elbasan – Tiranë, e cila ka përjetuar një rritje kostosh skandaloze dhe po ju njoftoj se përfundon brenda këtij viti, e cila do të lidhë përfudimisht Elbasani me kryeqytetin", tha Rama.

Ndërsa një pikë tjetër e rëndëishme është ajo që lidhet me rrugën Qukës – Qafë Plloçë që do të afrojë më tepër Korçën me Elbasanin dhe më tej me Tiranën.

"Përfundimi i rrugës Qukës – Qafë Plloçë do të jetë një premtim i mbajtur i dhënë gjatë fushatës elektorale", u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit foli edhe për projekte të tjera në qarkun e Elbasanit si infrastruktura, ujësjellësa dhe energjia, investimi në 8 fshatra turistikë.

Një pikë tjetër ishte shkrirja e 12 drejtorive të Bujqësisë dhe që kalojmë në 8 agjenci rajonale. Po ashtu Rama foli edhe për ndryshimet e ndodhura me ndihmën ekonomike./m.sh/noa.al/