Transmetuar më 13-03-2018, 10:55

“Kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore në burgje dhe nuk do të ndalemi deri në pastrimin e të gjitha rrënjëve të korrupsionit që janë shtrirë ndër vite e vite të tëra bashkëjetese të institucioneve”.

Kështu është shprehur ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj gjatë një inspektimi që ka zhvilluar në burgun e Peqinit.Sipas ministres, pastërtia dhe integriteti moral i punonjësve në burgje është objektivi kryesor i reformës, jo si qëllim në vetvete, por si rruga e vetme për  forcimin e sigurisë në burgje dhe një shërbim sa më profesional në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Gjatë verifikimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë ka rezultuar se rreth 100 punonjës janë me rekorde kriminale, çka do të thotë se ata automatikisht nuk duhet të ishin bërë pjesë e  sistemit.

Nga ana tjetër rreth 70 punonjës nuk iu përputhet arsimi me pozicionin e punës. Ministrja e Drejtësisë u shpreh se nuk do të ketë asnjë tolerim në procesin e verifikimit të pastërtisë morale të punonjësve. Të gjithë ata që nuk plotësojnë kriteret do të largohen.

Ministrja Gjonaj është ndalur edhe në sistemin e ri të rekrutimit, me qëllim pasjen e një trupe jo të emëruar politikisht dhe sa më profesionale.

Për këtë qëllim në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë do të organizohen testime profesionale për rekrutimin dhe më pas kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një kursi trajnimi, lidhur me detyrat funksionale të punës në burgje.

Gjatë inspektimit në burgun e Peqinit ministrja Gjonaj kontrolloi nga afër ambientet e burgut dhe dha porosi të veçanta për rregullimin e disa elementëve të tyre. Ajo gjithashtu u takua me të burgosur e familjarë të tyre, të cilët i kanë shprehur ministres problematika të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave lidheshin më sistemin gjyqësor.