Transmetuar më 13-03-2018, 10:42

Drejtoria e Policisë Elbasan ka marre një sërë masash për mbarëvajtjen e festës së 14 Marsit, Ditës së Verës, në të gjithë Qarkun e Elbasanit, për shkak të shtimit të numrit të automjeteve dhe rritjes se fluksit të lëvizjeve në akset kryesore dhe nëpër qendrat e banuara.

Gjatë festimit të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit, Drejtoria e Policisë Elbasan, ka marrë të gjitha masat, për organizmin e shërbimeve të Drejtorisë dhe Komisariateve të Policisë Elbasan, Cërrik, Librazhd, Gramsh, Peqin dhe të stacioneve Belsh dhe Përrenjas në mbarëvajtjen e aktiviteteve festive para gjatë dhe deri në përfundim të aktiviteteve festive që do të zhvillohen me rastin e Ditës së Verës.

-Të gjitha shërbimet në Drejtorinë e Policisë Elbasan, më datë 13.03.2018 do të kalojnë në shërbim të përforcuar për zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive.

-Për të përballuar me sukses festimin sa më normal të Ditës së Verës, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Elbasan, do të vihen në disposición dhe forca nga FNSH Tiranë.

-Do të merren të gjitha masat për parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale gjatë zhvillimit të aktiviteteve.

-Nga Policia Rrugore do të kontrollohen të gjitha akset me qëllim për të bërë të mundur qarkullimin normal të mjeteve gjatë zhvillimit të aktiviteteve.

Në këtë plan masash do të angazhohen 321 forca policie nga Elbasani dhe FNSH Tiranë.

Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nuk do të lejojnë lëvizjen apo parkimin e mjeteve në këto akse rrugore:

-Në orën 07:00 të datës 14.03.2018 deri në përfundim të aktivitetit të Karnavaleve do të bllokohet lëvizja në bulevardin “Aqif Pasha” nga Stadiumi deri tek 1 Maji dhe nuk do të lejohen parkimet e mjeteve nga “Rrethrrotullimi i luleve- Bashkia”

-Nga stadiumi deri tek “Pallati i Sportit”, nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimet e mjeteve.

-Më datë 14.03.2018 mjetet e tonazhit të rëndë të evitojnë lëvizjen në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Policia Rrugore krahas masave të marra për mbarëvajtjen e trafikut, do të ketë dhe një sërë masash për shtimin e kontrollit ndaj përdoruesve të rrugës, që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, që tejkalojnë normat e shpejtësisë, që kryejnë parakalime të gabuara, etj

Drejtoria e Policisë Elbasan, kërkon mirëkuptimin e pjesëmarrëseve në këtë ditë feste, të evitojnë në maksimum lëvizjen me automjet brenda qytetit të Elbasanit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive.

Duke falenderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mediat për bashkëpunimin, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ju uron Gëzuar Ditën e Verës! /a.y/noa.al