Transmetuar më 13-03-2018, 10:02

Nënkryetari demokrat i Kuvendit, Edi Paloka reagoi sot pas fjalëve të kryeministrit Edi Rama se në asnjë vend të botës kur kapet drogë nuk akuzohen kryetarët e Ekzekutivit.

Paloka shkruan se në ndryshim nga Shqipëria në Evropë nuk ka strategji për kanabizimin e vendit.

"Rama u përpoq mbrëmë të banalizojë akuzat mbi lidhjet direkte të tij me drogën. Duke paraqitur raste të tjera (të vërteta dhe të sajuara) të kapjes së sasive të ndryshme të kokainës edhe në qytete të tjera të Evropës, Rama u përpoq të vendosë paralele. Sipas tij, në asnjë vend tjetër, nuk akuzohen kryeministrat si garant, kur kapen ngarkesat e drogës.

Ajo që Rama nuk ju shpjegoi shqiptarëve është se në asnjë nga këto vendet e tjera qeveritë nuk kanë pasur strategji për kanabizimin e vendit si qeveria e tij", shkruan Paloka.

Sipas tij prova të reja do të dalin në lidhje me implikimin e Saimir Tahirit dhe Olsi Ramës në trafikun e drogës.

"Asnjë nga ministrat e Brendshëm apo familjarët e kryeministrave të atyre vendeve nuk janë kapur në përgjimet dhe vëzhgimet e agjencive inteligjente dhe për asnjë prej tyre nuk ka prova për lidhje direkte me trafikantët, siç rezultojnë për ish- ministrin e Brendshëm dhe vëllain e kryeministrit shqiptar…

Po për këtë të fundit kryeministri ynë, vërtet nuk ka parë asgjë akoma…", përfundon Paloka/m.sh/noa.al/