Transmetuar më 12-03-2018, 17:29

Në prani të aktorëve, artistëve të tjerë dhe grupeve të interesit, Kryeministri Edi Rama ka prezantuar pasditen e sotme projetin e ri për Teatrin e ri Kombëtar.

I bindur se godina ekzistuese nuk mund të quhet as teatër komune, kreu i qeverisë tha se ajo do të shembet, për t’i hapur rrugë teatrit të ri modern.

"Do shembet sepse është jashtë çdo lloj standardi përt t’u konsideruar një teatër komune, dhe jo më Teatër Kombëtar. Është krijuar mundësia që, mes sipërmarrjes, qeveverisë dhe bashkisë së Tiranës, të punohet për t’i dhënë këtij vendi teatrin e merituar kombëtar", tha Rama.

Kreu i qeverisë u kujdes që t’u kthente përgjigje edhe atyre që, prej kohësh kanë thënë se do të ketë edhe një kullë, kur tha se "nuk është teatër me kullë, por nuk do ishte mëkat nëse do të ishte edhe me kullë".

Rama përmendi ndërhyrjet modeste që janë bërë në godinën aktuale.

"Shpenzuam për të përmirësuar kushtet ekzistuese të godinës së teatrit, që pati disa ndërhyrje për të krijuar disa mundësi minimale, sistem minimal sigurie dhe ngrohje. Filluam ndërtimin e qendrës së re multifunksionale me dy skena teratri", vijoi më tej kreu i qeverisë.

Edi Rama tha se Turbina nuk është zëvendësuese e përhershme e Teatrit Kombëtar, por do të shërbejë deri kur të ndërtohet teatri i ri. /k.k/noa.al/