Transmetuar më 12-03-2018, 16:06

Grupi parlamentar i Partisë Demokratik u mblodh gjatë ditës së sotme ku u diskutua mbi akuzat e qeverisë për financimet ruse në PD. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Basha i ka quajtur mjegullnajë këto akuza për të mbuluar dy fakte të rëndësishme.

“Po përgatiten të mbyllin dosjen e Saimir Tahirit dhe të fshehin Olsi Ramën nga lidhjet me klanet e drogës në Kolumbi,” mësohet të ketë thënë Basha.

Pyetjes së gazetarëve nëse do të shkojë në Prokurori siç kërkon kryeministri dhe Partia Socialiste, Basha iu përgjigj me një kundër akuzë.

“PD i ka bërë të qarta si drita e diellit të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore të saj. Gjithçka ka dalë në përputhje me ligjin. 

As ulërimat e Edi Ramës as dëshpërimi i Taulant Ballës nuk mund ta heqin vëmendjen nga fakti se përmes një takimi sekret ditën e premte në një spital privat në Kombinat dhe përmes mekanizmave të tjerë politikë po përgatiten dy mënxyra të mëdha.

Sabotimi total i hetimeve të kokainës së Maminasit dhe lirimi i Saimir Tahirit. Ndaj fokusi ynë është lufta kundër krimit dhe drogës, sa i takon tjetrës ju kujtoj se kemi qenë ne të parët që kemi kërkuar verifikim nga prokuroria, Edi Rama të presë hetimin. 

Pse ngutet?! Por të mos harrojmë se po përgatitet lirimi i Saimir Tahirit po përgatitet sabotimi total i hetimit të kokainës së Maminasit. Kemi të dhëna jashtëzakonisht shqetësuese”, u shpreh Basha./b.l/noa.al/