Transmetuar më 12-03-2018, 15:20

Policia e Kukësit ka dalë me deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në maternitetin e Kukësit ku një nënë humbi jetën së bashku me foshnjën e saj.

Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 08.30, ku u njoftua se gjatë lindjes ka gjetur vdekjen Nurije Poçi, rreth 42 vjeçe, banuese në Kukës, së bashku me foshnjën e saj.

Viktima së bashku me foshnjën, ndodhen në morgun e spitalit të Kukësit. Ekspertët mjeko-ligjore të ardhur nga Tirana si dhe grupi hetimor, po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Familjarët kanë dyshime për çfarë ka ndodhur, ndërsa janë në pritje të kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore. Ata thonë se ngjarja është e dyshimtë prandaj edhe kanë kërkuar hetime të mëtejshme për rastin në fjalë.

Gruaja ishte nënë e gjashtë fëmijëve dhe kishte shkuar në spital për të lindur fëmijën e saj të shtatë./b.l/noa.al/