Transmetuar më 12-03-2018, 12:10

Tirana është një qytet që ofron mundësi të mira për investime të huaja. Kjo është përshtypja që krijuan një grup prej 60 sipërmarrësish francezë nga krahina e Lionit në përfundim të vizitës së tyre në Tiranë. Dje pasdite ata u pritën në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i njohu me projektet, mundësitë e bashkëpunimit, lehtësirat që ofron kryeqyteti shqiptar për të investuar, dhe në fund mbollën edhe disa pemë në lulishtet e sheshit “Skëndërbej”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve.  

Veliaj falënderoi biznesmenët francezë për vizitën e tyre, ndërsa garantoi mbështetjen dhe lehtësirat për çdo ide për të bërë biznes në Tiranë. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që veç marrëdhënieve mes qeverive dhe institucioneve shtetërore, të krijohet dhe një bashkëpunim mes qytetarëve, si një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi konkret. 

“Unë besoj se pjesë e të qënurit evropian nuk është vetëm protokollet që shkruajnë qeveritë apo firmat që hedhim me reforma shumë të rëndësishme, por marrëdhëniet mes njerëzve, njerëzit që bëjnë biznes, që shkëmbejnë kulturë, që fuqizojnë lidhjet mes njëri-tjetrit”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve dhe u shpreh e kënaqur që edhe ajo u bë pjesë e aksionit të gjelbërimit. 

“Jemi shumë të kënaqur e të nderuar për faktin që kemi kontribuuar në mënyrë modeste në shtimin e gjelbërimit të kryeqytetit shqiptar dhe ky varg pemësh qe u mboll nga ju zoti kryetar, nga zoti Toska e nga të gjithë, do të mbajë emrin Justin Godard, një burrë i shquar francez i cili ka punuar e jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri”, tha ambasadorja franceze në Tiranë, Vasak.

Ndërsa në emër të delegacionit të sipërmarrësve francezë, Gazmend Toska, president i Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri me qendër në Lyon, theksoi se qëllimi i vizitës është krijimi i sa më shumë marrëdhënieve ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë, ndërsa u shpreh optimist për vijimin e këtij bashkëpunimi me investime konkrete./b.l/noa.al/