Transmetuar më 12-03-2018, 11:49

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kujton partive politike të regjistruara në Gjykatën e Tiranës, detyrimin për të depozituar raportet financiare vjetore të vitit 2017, brenda datës 31 mars.

Sipas ligjit “Për Partitë Politike”, partitë duhet të dorëzojnë raportet financiare vjetore një herë në vit pranë KQZ dhe duhet të jenë sipas rregullave për raportimin e financiar dhe duhet të përfshijnë informacion të hollësishëm për burimet e financimit të partisë politike gjatë gjithë vitit kalendarik; shpenzimet e kryera nga partia politike dhe subjektet e lidhura, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike.

Po ashtu duhet të vënë në dispozicion edhe çdo informacion tjetër që parashikon ligji “Për partitë Politike” për aktivitetin financiar të partisë politike.

Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, deklaroi se raportet duhet të depozitohen nëpërmjet personave përgjegjës për financat e partive politike, sipas formateve të standardizuara për raportimet financiare vjetore të miratuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Në zbatim të nenit 23/4 të ligjit “Për partitë politike”, shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, dënohet me gjobë nga 50.000-100.000 lekë. Theksojmë se, afati për dorëzimin e raporteve financiare nga partitë politike është data 31.03.2018”, tha në mbyllje Hoxhaj. /a.y/noa.al