Transmetuar më 12-03-2018, 10:53

Taulant Balla drejtoi paraditen e sotme mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u ndal gjatë në lobimet që Partia Demokratike ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundrejt shumave të konsiderueshme të parave.

Ai zbuloi skemën sesi kryedemokrati Lulzim Basha ka arritur të bëjë një fotografi me Presidentin Donald Trump, në kohën e fushatës zgjedhore.

Balla tha se një javë e gjysmë para zgjedhjeve të 25 qershorit, Basha e ndërpreu fushatën dhe shkoi në SHBA ku lobuesi Nik Muzin e futi Bashën në një takim për mbledhje fondesh të kandidatit për guvernator në Mill Woki, takim në të cilin merrte pjesë edhe Presidenti Trump.

Por detajoi se, në këtë takim përmes një pagese kontribuese prej 20 mijë dollarësh mund të fitohej një vend VIP dhe një foto me presidentin Trump.

“Dhe Basha arriti ta kishte këtë foto me presidentin Trump përmes kësaj skeme.

Me dokumentet që kemi në dispozicion dhe që i ka edhe media amerikane dhe ajo në Shqipëri në 14 nëntor 2017 “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD një pagesë 25 mijë dollarë në 27 mars dhe një pagesë 500 mijë dollarë më 9 qershor nga PD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade” në vlerën e 150 mijë USD në datën 24 mars 2017”, u shpreh Balla.

Në vijim shtoi se, asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade,’ e cila tha Balla, është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë. një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

Misteri për këtë çështje sipas tij, është që si ka mundësi që PD ka paguar 500 mijë dollarë dhe në çfarë rrugësh i ka paguar këto 500 mijë dollarë.

“Sipas Departamentit të Drejtësisë Amerikane lobistëve amerikanë që punojnë për qeveritë e huaja apo subjektet partiake jashtë SHBA duhet të identifikojnë në Departamentin e Drejtësisë klientët e tyre të huaj dhe tarifat që kanë paguar dhe ata duhet të përshkruajnë punën që kanë bërë për këta klientë. Por Muzin, lobisti i Bashës nuk i kishte raportuar të gjitha detajet kur ai u regjistruar për herë të parë si agjent i huaj për PDSH”, deklaron ai.

Po ashtu Balla shton se në dosjen e tij plotësuar në 14 nëntor, Muzin vuri në dukje se ai ishte paguar në total 675 për tre muajt e punës së tij për PD.

Në këtë linjë deklaroi se ka punuar 3 muaj për Partinë Demokratike dhe ka paguar 675 mijë dollarë. /a.y/noa.al