Transmetuar më 12-03-2018, 09:07

Vëllai i Kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, i cili mban pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të ekipit të futbollit “Partizani” u përgjigjet akuzave të Partisë Demokratike, e cila e cilëson si “peshkun e madh të kokainës”, lidhur me 613 kilogramët e sekuestruara në portin e Durrësit.

I ftuar këtë të diel në emisionin ‘Rubrika sportive’ në ‘Tch’, ai i ka cilësuar akuzat si sajesa, duke mohuar të ketë lidhje me kokainën.

“Sa i përket akuzave të fundit, që më lidhin mua me kokainën, janë sajesa, unë nuk kam lidhje. Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk kam lidhje me këto çështje. As me punë tenderash, asnjë lloj gjëje të ngjashme. Po këto janë gjëra që sajohen në këtë fshatin tonë”, u shpreh Olsi Rama.

Lidhur me marrëdhëniet me të vëllanë, shtoi se nuk e pyet për punët e tij dhe as ai për të vetat.

“Në aspektin profesional nuk i hyjmë njëri-tjetrit në punë”, deklaroi Olsi Rama. /a.y/noa.al