Transmetuar më 11-03-2018, 14:22

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, thotë se akuzat qesharake për konspiracion rus nuk mund ta ndihmojnë Edi Ramën të fshehë dy të vërteta të mëdha, se ai po bën gjithçka për të shpëtuar Saimir Tahirin nga burgu dhe se vëllai i tij, Olsi Rama, është një nga peshqit e mëdhenj të kokainës kolumbiane.

Në një dalje për mediat mesditën e sotme nga selia blu, ai deklaroi se që kur 613 kilogramët e kokainës u kapën me ndihmën e partnerëve të huaj, Kryeministri i vendit është zhdukur nga qarkullimi dhe nuk jep përgjigje se çfarë lidhje ka Olsi Rama me një nga kartelet më të rrezikshme të drogës kolumbiane dhe cili ishte roli i Olsi Ramës në ngarkesën e 613 kilogramëve kokainë të pastër.

“Edi Rama hesht dhe nuk u thotë shqiptarëve përse është takuar fshehurazi me Saimir Tahirin të premten paradite në një nga spitalet private të Tiranës. Është detyrim i kryeministrit të vendit të flasë për marrëdhënien e tij me Saimir Tahirin, duke mos mbajtur më peng integrimin europian të vendit. Edi Rama e di shumë mirë se pa i hequr mbrotjen politike ish ministrit të tij të brendshëm, Shqipërisë nuk do t'i hapen negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh deputeti demokrat.

Ai shton se politikën në Shqipëri nuk e ulin poshtë skemat e trasha të Edi Ramës me rusë, spiunazh dhe destabilitet, por nënvizon se, është bashkëqeverisja e tij me krimin rreziku më i madh për stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit.

Alibeaj e mbyll qëndrimin duke thënë se, është biznesi i tij familjar me kartelet e kokainës, mbrojtja e Saimir Tahirit dhe shndërrimi i vendit në parajsën e drogës akti më antikombëtar i Edi Ramës. /a.y/noa.al

Rama s’i ndahet Bashës për lobimin rus: Ç’janë këta bamirës që japin para pa pyetur