Transmetuar më 11-03-2018, 11:03

Artur Zheji, analisti i njohur shqiptar dhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë kanë qenë miq të ngushtë kur ishin të rinj, por marrëdhënia e tyre u ftoh.

Në një intervistë për emisionin “Mos i fol shoferit” nga Rudina Dembaçaj, Zheji rrëfeu arsyen përse nuk janë më aq të afërt, duke zbuluar një detaj për jetën sentimentale të Ramës.

Pse nuk jeni miq?

Nuk jemi zënë. Flasim, është ajo e folura e sipërfaqshme që fsheh moskomunikimin total. Për të folur, flasim.

Pse u ftohët?

U bëmë dy tipa të ndryshëm. Ne kemi bërë një bisedë vendimtare që ndau rrugët tona. Ka qenë viti ‘97.

Në 1997, Fatos Nano që më vonë u bë miku im më i shtrenjtë dhe u bë kryeministër, e ftoi për tu bërë ministër dhe ai ftoi dy miq për tu këshilluar për të ardhmen e tij në Shqipëri.

Sa kishte ardhur nga Parisi, njëri isha unë, tjetri ishte Spartak Ngjela që sot nuk le kusur, i thotë mendjefyell. Donte një këshillim, ishte akoma Rama që unë kam njohur, që e kam patur vëllacko. Ngjela i tha je në rrugën e duhur, kjo është e ardhmja jote, ti i ke të gjitha provokativat për tu bërë njishi. Parashikimi i Ngjelës doli i saktë. Kurse unë i thashë ti je artist i madh për mua dhe do humbasësh artin për politikën. Në atë kohë Rama ka patur një mikeshë gjermane, një yll e bukur, një gjermane brune me sy bojëqielli. Gjermania u nda se mendonte që ishte e dashuruar me Ramën artist jo Ramën politikan.

Gjermania erdhi më vonë, ajo erdhi kur ai kandidoi për kryetar bashkie dhe i tha që deri këtu mbaj. Më pas filluan sherret politike mes tij dhe Nanos. Shokë i kisha prapë. Mbetëm deri në një farë kohe miq në një truall shumë konfliktual.