Transmetuar më 10-03-2018, 13:21

Tirana është përzgjedhur si qyteti model i zhvillimit në Forumin vjetor të arkitektëve dhe urbanistëve gjermanë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe qyteti i Mynihut.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë një ditore në Mynih, si i ftuar në Forumin vjetor për Qytetet dhe Ardhmërinë, ku prezantoi transformimin që ka pësuar Tirana dhe projektet strategjike për të ardhmen. Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se një pjesë e madhe e suksesit ka ardhur falë qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë nxitur një sërë nismash të rëndësishme për qytetin.

“Jam shumë krenar për Tiranën! Jemi përzgjedhur si një qytet model, kësaj here në forumin vjetor të arkitekturës gjermane organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe nga qyteti i Mynihut. Jam shumë krenar sepse jo vetëm Bashkia ka bërë punën që duhet të bëjë, por një pjesë e madhe e sukseseve tona i kushtohet qytetarëve të Tiranës.

Janë ata që kanë inkurajuar ditët pa makina, që po kthejnë zonat pedonale, që po mbjellin pemë, që po e mbajnë pastër qytetin. Historia e vërtetë e suksesit të Tiranës është se çdo qytetar e ndjen që është pjesë e familjes së Tiranës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve”, tha Veliaj.

Ai shtoi me bindje se nuk ka një qytet të dytë sot në Europë, ku qytetarët janë kaq shumë të përfshirë me pastrimin, mbjelljen e pemëve, kujdesin e hapësirave publike, korsitë e biçikletave dhe mënyrën se si po krijohet një sens përkatësie për përkujdesje ndaj qytetit.

Veliaj u shpreh se kjo histori e bukur që po shkruhet në Tiranë po vlerësohet nga të gjithë ata që sot janë në avangardë të arkitekturës dhe të urbanizmit në Europë. Kreu i Bashkisë nënvizoi se fakti që Tirana ka bërë në një kohë të shkurtër një kapërcim gjigant, është një inkurajim për të vijuar punën me energji edhe më të madhe për projektet e nisura.

Kryebashkiaku siguroi se edhe këtë vit Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë investimesh të rëndësishme, si ndërtimi i shkollave të reja, transformimi i Piramidës dhe i mjaft zonave të reja të qytetit, të cilat gjatë këtyre viteve kanë njohur zhvillim, por jo urbanizim.

Duke falenderuar qytetarët për mbështetjen që kanë dhënë gjatë këtyre 3 viteve në zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme, si fushata për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja deri më 21 mars, Veliaj u shpreh se Tirana do të vendosë një standard për të realizuar synimin e krijimit të Pyllit Orbital me 2 milionë pemë./b.l/noa.al/