Transmetuar më 09-03-2018, 17:54

Ishte muaji korrik i 2017 kur një i ri nga Prrenjasi emigroi për një jetë më të mirë drejt Europës. Bëhet fjalë për 26-vjeçarin, Dritan Duka. I gjendur përpara disa sfidave që e prisnin në Francë, Duka mendoi që t’i futej futbollit për të mbajturmë shumë trupin në formë, por fati i buzëqeshi dhe pasi konkurroi në një ekip të ligave amatore të Francës, ai u mor menjeherë në ekipin e Blainville.

Kush do ta mendonte? I futur në fushë si sulmues, Duka shfaqi talentin e tij duke “shpërthyer” në gola.

Në vetëm 9 ndeshje ai ka arritur të shënojë 6 gola, duke bërë që të gjithë tashmë të flasin për të riun emigrant që fati po i buzëqesh.

Edhe pse në një ligë amatore, i riu nga Prrenjasi po sheh një të ardhme më të mirë në vendin europian, ku deri më tani ka siguruar dhe një pagë tepër të kënaqshme mujore, e cila i kalon 1500 eurot.

I kontaktuar nga newsport.al, sulmuesi i cili më parë nuk ka patur lidhje me këtë sport përveçse disa stërvitjesh që ka bërë në fëmijëri u shpreh: Ndihem tepër i lumtur që dyert do të hapen për mua edhe pse është një moshë jo e vogël për të nisur një karrierë në futboll.

Aktualisht jam duke bërë mirë me skuadrën e Blainville. Kam shënuar 6 gola në vetëm 9 ndeshje dhe mesa duket do të jem bomberi i skuadrës edhe për vitin që vjen.

Unë erdha si emigrant këtu dhe përfundova futbollist, edhe pse në ligat amatore. Asnjëherë nuk i dihet jetës dhe kurrë nuk duhet të dorëzoshesh. Fati më buzëqeshi mua këë herë, nesër mund të të ndodhë ty”, përfundoi ai me këtë mesazh tepër inkurajues për të rinjtë shqiptarë.