Transmetuar më 06-03-2018, 22:56

Pas situatës së vështirë të përmbytjeve në Shkodër, prefekti i Qarkut mblodhi në orët e mbrëmjes shtabin e Emergjencave. Prefekti Çesk Millja doli kundër kryebashkiakes Voltana Ademi për shpalljen e emergjencës në njësinë Ana e Malit dhe Dajç.

Sipas prefektit shkarkimet nga hidrocentrali i Vau i Dejës janë 1300 metër kub ne sekondë dhe kjo nuk mund të sjellë përkeqësim të situatës. Ai u shpreh se për momentin nuk ka nevojë për panik dhe situata po monitorohet.

Përmbytja në Anën e Malit vjen si shkak i prurjeve natyrale te ujërave nga lumi Drin dhe jo nga shkarkimet nga HEC-et. Reshjet dhe shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë shkaktuar përmbytje në disa njësi administrative të zonës së Shkodrës.

Si pasojë e kësaj situate është mbledhur mbrëmjen e sotme, shtabi i emergjencave civile në prefekturën e qarkut Shkodër.

Sot kryebashkiakja Voltana Ademi kërkoi që në Shkodër të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, por kjo nuk u pranua në mbledhjen e shtabit të Emergjencave./m.sh/noa.al/