Transmetuar më 06-03-2018, 22:23

Mentor Kikia

Artan Lame po i hyn bregdetit në këmbë

Në parkun e pishave në Velipojë, nuk mund ecësh më lirisht. Gardhe telash me gjemba e ndajnë atë në pjëse dhe kudo shkruhet: Pronë private. Në Gjirin e Lalësit, në Durrës, jo që jo. Në Hamallaj(Durrës) gardhet shkojnë deri dhe brenda ujit, si për të treguar se edhe deti është hipotekuar. Në fshatin Rinia(Durrës), në disa zona ka postblloqe që të duket sikur je në kufi e duhet të tregosh pasaportën për të kaluar. Në Spille, po ashtu. E njëjta situatë në çdo zonë turistike bregdetare. Edhe Gadishulli i Karaburunit është ndarë dhe shkëmbinjve e gërxheve u kanë dalë pronarë që kanë vënë nën tela me gjemba dhjetra e qindra hektarë.

Në mënyrë të vazhdueshme dhe në heshtje, zyrtarë lokalë e qëndrorë, sipërmarrës të fuqishëm të lidhur me politikën e pushtetin, batakçinj e kriminelë, të ndihmuar nga vetë institucionet e korruptuara, sajuan dokumenta duke përvetësuar thuajse të gjithë bregdetin e vendit. Këto falsifikime u bënë zyrtare me ndihmën e hipotekave dhe me vulën e noterëve dhe gjykatësve të korruptuar.

Përvecse përvetësim i pronave publike, apo private, dhe burim i madh konfliktesh sociale, ky kaos është edhe një pengesë e madhe për zhvillimin e turizmit, për shkak se investitorët që duan të ndërtojë resorte turistike përballen me vështirësi për gjetjen e pronarit të vërtetë të tokës.

Të shtunën, Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t, bëri të ditur një vendim të qeverisë. Do të bëhet verifikimi i akteve të pronësisë në të gjithë bregdetin, në 30.000 parcela. Ky mund të jetë operacioni qeveritar më i rëndësishëm i gjithë mandatit qeverisës të Edi Ramës. Por, përballë, në këtë operacion, Lame nuk do të ketë vetëm kaosin e tmerrshëm të gardheve me tela me gjemba dhe malin e madh të dosjeve me dokumente. Ai do të ketë edhe murin e madh të korrupsionit zyrtar që ka marrë trajtën e një grupi mafioz, që ka lëvizur mallin më të shtrenjtë sot për sot në Shqipëri, tokën. Verifikimi i pronësisë, do të nxjerrë në dritë edhe ata që kanë bërë këto krime, ata që kanë falsifikuar dhe ata që firmosur duke ligjëruar këtë maskaradë. Për pasojë, do të përballet me zyrtarë të lidhur me qeverinë e tanishme, qeverinë që shkoi dhe atë që ka shkuar para saj. Do të përballen me oligarkë, njerëz të pasur e të fuqishëm, politikisht, financiarisht dhe “ushtarakisht”.

Megjithatë, sadopak drejtësië të vihet është e nevojshme, ndaj dhe ky operacion duhet përshëndetur e mbështeur. Detit mund të mos i hysh në këmbë, por detit të mashtrimeve me bregdetin, edhe mundet.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al