Transmetuar më 06-03-2018, 22:14

Për shkak të rreshjeve të dendura situata në zonën e Shkodrës paraqitet mjaft problematike. Qindra hektarë tokë janë nën ujë, ndaj për këtë shkak edhe kryebashkiakja Voltana Ademi kërkoi nga qeveria shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme.

Në një njoftim të orëve të mbrëmjes ministria e Mbrojtjes bën me dije se ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në Bashkinë Shkodër, kryesisht në Njësinë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit, Gur i Zi dher Malësi e Madhe.

Sipas informacioneve të raportuara nga  Bashkia Shkodër, bëhet me dije se rruga për në fshatin bruçaj, Njësia Administrative Pult është e bllokuar, po ashtu dhe nga fshati Kir deri në Xhan dhe nga fshati Pog deri në qendër të Njësisë Administrative Pult. Rruga për në fshatin Mazrek të Njësisë Administrative Gur i Zi, është e bllokuar. Gjithashtu në rrugën Gur i Zi – Vukatan ka prezencë uji rreth 30 cm.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 300 ha. Ka prezencë uji në fshatin Obot. Rrezikohet ujësjellësi Oblikë. Përrenjtë kanë prurje të mëdha.

Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka prezencë uji edhe në fshatin Gomsiqe të Njësisë Administrative Velipojë.

Nga institucioni i prefektit vazhdon të moniotorohet situata dhe po bashkëpunohet intensivisht me strukturat e Bashkive dhe institucione si: HEC-et, DVP, OSHEE, KESH, Drejtorinë Rajonale të Kullimit, Autoritetin Verior dhe strukturat e ushtrisë, për mbajtjen në kontroll të situatës dhe mirëmenaxhimin e situatave të pritshme.

Një mjet i ushtrisë është përqendruar në fshatin Obot për të bërë transportimin e komunitetit, meqënëse segmenti rrugor që lidh Njësinë Administrative me këtë fshat është izoluar nga uji.

Në prefekturat e tjera nuk ka probleme (Tiranë dhe Durrës), pasi ka rënë niveli i ujit në rrugë dhe situata po normalizohet./m.sh/noa.al/