Transmetuar më 03-03-2018, 10:46

Tjetërsimi i pronave përmes dokumenteve të falsifikuara është një fenomen masiv në vendin tonë. Dhjetëra dosje penale janë të hapura ndërkohë shumë qytetarë janë mashtruar duke blerë prona pa dokumente të rregullta.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes para se të investojnë për prona të caktuara, kudo qofshin ato.

Ai ka kërkuar vigjilencë për të bërë verifikimet nevojshme në zyrat shtetërore për të mos rënë pre e abuzimeve.

“Qytetarë, para blerjes interesohuni në zyrat urbanistike të bashkisë nëse në zona ka zhvillime apo jo, në të kundërt mos merrni toka për qëllime turistike nëse nuk janë në planin e zhvillimit.  Qytetarë, para blerjes kërkoni informacion në Agjencinë e Kthimit të Pronës, nëse janë prona të fituara ligjshëm. Ju bëjmë thirrje qytetarëve që ndërkaq kanë blerë prona të tilla, të kërkojnë llogari nga shitësit”, ka deklaruar Lame në një dalje për mediat.

Më tej ai kishte edhe një mesazh për abuzuesit kur tha se “ju bëjmë thirrje edhe ‘akrobatëve’ të këtyre pronave të mos marrin më qafë njerëzit”.

Lame tha se mbi këta persona do veprojë ligji./a.m./noa.al/