Transmetuar më 02-03-2018, 15:10

Fermerët e Tiranës që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre bujqësor apo blegtoral mund të aplikojnë pranë agropikave për të përfituar deri në 50% të vlerës së investimit që do duhet të bëjnë. 

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural zhvilluan sot një bashkëbisedim me fermerë në Farkë, ku prezantuan mundësitë e përfitimit nga skemat kombëtare të mbështetjes për bujqësinë, për të gjithë ata që ushtrojnë veprimtari në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe agrobiznesit. 

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kjo është mundësi e mirë për zhvillimin e bujqësisë dhe agroturizmit në zonat rurale të Tiranës, ndërsa evidentoi lehtësitë proceduriale për të përfituar prej saj.

“Kush ka një ide në këto 52 kategori, si të shtojë prodhimin, si të blejë makineri, si të ambalazhojë mallin, si të fusë shërbime hotelerie në bujtinën e tij në fshat ose si të marrë certifikimet ISO, kanë një mundësi financimi nga shteti shqiptar. Kush ka një ide mjafton vetëm NIPT-i, karta e identitetit, shkon te zyra e AZHBR-së në Tiranë, ulesh me një nga punonjësit dhe i thua kam këtë ide”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje të gjithë fermerëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar një mbështetje financiare pa qenë e nevojshme të kthejnë asgjë pas, përveçse të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

“Padyshim një qytetar i thjeshtë e ka kontributin modest duke blerë mall vendi, kurse ju që jeni administratorë, si këtu në Farkë, kërkohet që këto 28 ditë deri në fund të marsit, të jemi në sprint, takime të tilla duhen bërë në çdo njësi. A ka mundësi në çdo fshat për t’u thënë njerëzve, që te zyrat e AZHBR-së për 52 punë në bujqësi jepen lekë falas. Nuk është si kredia në bankë. Nuk ka nevojë për ta kthyer. Ka nevojë vetëm për të treguar faturën”, u shpreh Veliaj.

Ai kërkoi nga të gjitha njësitë dhe drejtoritë përkatëse që të nisin një fushatë informuese për të gjithë fermerët që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të përfituar para për të zhvilluar biznesin e tyre që ka të bëj me fushën e bujqësisë, blegtorisë apo agroturizmit. 

Kryetari i bashkisë bëri të ditur se procesi i aplikimeve do të jetë edhe një lloj gare se cilët prej administratorëve të njësive do arrijnë të çojnë më shumë fermerë për të aplikuar dhe të thithë më shumë mbështetje financiare. Ai theksoi se e rëndësishme që aplikimi të merret parasysh është që çdo fermer të tregojë të vërtetën për investimin që kërkon të realizojë.

Të drejtën e aplikimit për grante e kanë të gjithë fermerët të cilët janë të pajisur me NIPT dhe aplikojnë për Grante deri në datën 28 Mars 2018. Nga skemat e mbështetjes financiare përfitojnë fermerët, person fizik apo juridik, të cilët posedojnë 1 ha tokë ose 0.5 ha sera, një fermë blegtorale me mbi 10 krerë gjedh apo mbi 100 krerë të imëta dhe dëshirojnë të shtojnë aktivitetin bujqësor edhe me një strukturë agroturistike e cila ofron ushqim dhe akomodim (të paktën 6 dhoma)./b.l/noa.al/