Transmetuar më 28-02-2018, 12:54

Një burim i FIFA-s deklaroi dje, se Kampionati Botëror i Futbollit 2022 nuk do t’i hiqet Katarit.

“Sigurisht, Katari do të presë Kupën e Botës (2022), pse jo?” citoi “Mirror” burimin, pas interesimit lidhur me këtë çështje.

Burimi shtoi se Ministria e Sportit në Arabinë Saudite është zanafilla e thashethemeve për heqjen e Kupës së Botës nga Katari dhe transferimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në Mbretërinë e Bashkuar.

Burimi i FIFA-s tha se nëse Federata Ndërkombëtare e Futbollit do të donte të bënte diçka të tillë, atëherë ajo do të jepte një deklaratë zyrtare pa qenë nevoja që një njoftim në këtë drejtim të lëshohej nga Arabia Saudite.

Burimi vuri në dukje se thashethemet e tilla vijnë për shkak të mosmarrëveshjeve midis vendeve të bllokadës, Arabi Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejn, Egjiptit dhe Katarit.

Nga ana tjetër, portali investigues “Intercept” shkroi në fillim të nëntorit të kaluar se ka marrë dokumente nga e-maili i ambasadorit të Emirateve në Shtetet e Bashkuara, Yousef Al Otaiba, të cilat zbulonin ekzistencën e një plani nga Abu Dhabi për të nisur një sulm mbi sistemin financiar të Katarit, në përpjekje për ta detyruar këtë të fundit të dështojë në pritjen e Kupës së Botës 2022.

Portali shtoi në atë kohë se plani përfshinte nisjen e një fushate marrëdhëniesh publike ndërkombëtare për të tërhequr vëmendjen e FIFA-s rreth përkeqësimit të situatës financiare në Katar pasitë funksiononte plani, dhe kështu do të merrej një vendim për t’i hequr Katarit Kupën e Botës pasi nuk do të ishte në gjendje për të ndërtuar objektet dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar Botërorin.

Duhet përmendur këtu se Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka lavdëruar në më shumë se një rast përgatitjet që po kryen Katari për Kupën e Botës 2022, duke e cilësuar këtë Botëror se ai do të jetë ndër më të suksesshmit.