Transmetuar më 23-02-2018, 23:50

Kreu i Policisë Rrugore, Mit’hat Tola thotë se do të ashpërsohen masat për përdorimin e celularit nga drejtuesit e automjeteve.

“Ta sqaroj edhe problemin e celularit. Ka një diskutim të madh që donim ta kalonim në 2014, kur u bënë ndryshimet e Kodit Rrugor, por kaluam vetëm rripin e sigurimit, e ashpërsuam në mënyrë drastike dhe sot të gjithë jemi dëshmitarë që rripi i sigurimit nga 20% ka kaluar mbi 60% që e vendosin. Bëmë kërkesë që të ashpërsonim edhe për celularin, por në pjesën, të themi politike, në pjesën e komisioneve parlamentare, në pjesën e diskutimeve, Ministria e Transporteve, u pa si një masë shumë e rëndë. Kërkuam dyfishimin. Ne me celular e humbasim vëmendjen. Për mua duhet të trefishohet. E kemi gati. Ka ardhur koha që Kodi Rrugor të ndryshojë. Transporti është në lëvizje. Në Shqipëri janë mbi 600 mijë automjete. Shto mjetet që vijnë nga pikat e kalimit kufitar."

Ndërkohë për të konstatuar parakalimet e gabuara, Kreu i Policisë Rrugore i intervistuar nga Ora News ka bërë të ditur se policia do të vërë së shpejti në funksion një dron.

“Kur shohin makinën e policisë dhe e ulin shpejtësinë, atëherë një nga masat është edhe dalja me makina private. Së shpejti do marrim një dron. Do përdoret për gjithçka. Droni është blerë, po kolaudohet në Ministrinë e Brendshme. Së shpejti do të vihet në funksionim për të evindetuar parakalimet e gabuara. Droni do të përdoret sot në rrugët interurbane, ashtu edhe në ato brenda qyteteve."

Ashpërsimi i masave penale dhe administrative vjen në një moment që në Shqipëri janë shënuar shumë viktima.