Transmetuar më 20-02-2018, 11:37

Gjatë firmosje së kontratës së re me kompaninë “SHELL”, për programin e zbulimit të naftës, Kryeministri Edi Rama tha se kjo marrëveshje përbën një ndarje nga koha kur buxheti i shtetit përfitonte prej tyre vetëm rentën minerare.

Ai deklaroi në fjalën e mbajtur paraditen e sotme, se marrëveshja që firmoset është rezultat i një procesi interesi dhe një këmbëngulje e ndërsjellë për të arritur në një proces ku jo vetëm garantohen përfitime reciproke po sigurohet gjenerimi që në vitet e para e qindra vendeve të punës.

Në këtë linjë, Rama tha se me këtë marrëveshje Shqipëria do të shikohet e plotë kështu siç është dhe jo e pjesshme “a thua se këtu ka vetëm krim të organizuar”.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje ne i hapim rrugë një investimi të ri dhe të konsiderueshëm të huaj në vend. Siç mund ta dëshmojnë miqtë tanë të ‘SHELL’ Shqipëria sot në raport me të shkuarën e largët garanton qartësi, transparencë dhe drejtësi në marrëdhëniet mes qeverisë dhe investitorëve të huaj. Shqipëria është një vend oportunitetesh të shumta, përfshi dhe vetë sektorin e naftës, ka ende shumë për të eksploruar dhe zbuluar”, u shpreh Rama.

Sipas tij, historia e përpjekjes për të zbuluar naftë është 100-vjeçare, por nënvizoi se pa diskutim kjo pasuri nuk e ka pasur ende impaktin që duhet dhe mund të kishte në jetën e popullit tonë. /a.y/noa.al